Autoritetet greke në alarm, vdes 8-vjeçari nga streptokoku i grupit A

13/06/2023 10:09

Organet shëndetësore të Greqisë janë në alarm pasi një 8-vjeçar nga Selaniku ka ndërruar jetë për shkak të infeksionit të streptokokut të grupit A.

8-vjeçari nga Imathia  që u dërgua me urgjencë në spitalin Ippokratis të Selanikut është rasti i gjashtë i vdekjeve brenda këtij viti nga sëmundja invazive streptokokale. Ky infeksion i rrezikshëm po studiohet nga autoritetet shëndetësore europiane. Mëngjesin e së martës është sjellë në të njëjtin spital edhe kushëriri i tij 9 vjeç me simptoma të njëjta.

Pediatrit janë në gatishmëri të plotë për streptokokun, pasi zakonisht rastet rriten kur sistemi imunitar i fëmijëve dobësohet nga viruset e përsëritura të vjeshtës dhe dimrit.

Sipas raporteve të organeve ndërkombëtare dhe evropiane të shëndetit publik (Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve), që nga shtatori 2022 ka pasur një rritje të rasteve të infeksionit streptokokal të grupit A invaziv (iGAS) në disa vende evropiane.

Gjatë së njëjtës periudhë u raportuan 48 vdekje të fëmijëve nga ky mikrob te fëmijët nën 10 vjeç në Britaninë e Madhe , Francë dhe Irlandë.

Nisur nga shqetësimi i rasteve fatale, Organizmi Kombëtar i Shëndetit Publik ka dërguar një raport informues me udhëzime për të gjitha institucionet spitalore në vend, për domosdoshmërinë e deklarimit të të gjitha rasteve të infeksionit invaziv streptokokal A. Njëkohësisht u dërguan udhëzime pranë Administratave Publike të Shëndetësisë në lidhje me menaxhimin e rasteve në mjedisin e shtëpisë dhe shkollës.

Specialistët këshillojnë që prindërit sapo të shohin që fëmija ka temperaturë nuk duhet të presin tre ditë sa të bjerë temperatura, por të konsultohen menjëherë tek pediatri. Gjithashtu, të mos i bëjnë vetë analizat e streptokokut nga farmacitë.

Streptokoku i grupit A përhapet përmes kontaktit të ngushtë me një person të infektuar përmes kollitjes dhe teshtitjes ose nga një plagë. Disa njerëz mund t’i bartin bakteret pa u sëmurë ose pa shfaqur simptoma të një infeksioni dhe paralelisht mund ta përhapin atë. Rreziku i përhapjes është shumë më i madh kur një person ka simptoma.

Top Channel