Ish nën-kryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi mendon se ka ardhur momenti që kjo forcë politike duhet të copëtohet.
Në “Top Talk”, themeluesi i Bindjes Demokratike thotë se shanset që Partia Demokratike të mbyllë luftën e brendshme dhe të sillet si opozitë ka mbaruar.
“Ata janë në letargji në një sëmundje të pashërueshme. Nuk shikoj projekt politik, fakti që thonë ata janë non grata ne s‘jemi, është banale. Mendësia e konsiderimit të pronës publike si privati, adhurimi dhe ndjekja e tij deri në pikën e fundit. Unë nuk shikoj që PD mund të bashkohet, nuk ka asnjë shans. Do qëndrojë një copë e madhe të Berisha, një copë te Basha. Kjo është sëmundje, është epidemi. Do jetë si kukullat ruse. Nuk duhet të merresh me ata opozitarë që nuk duan të reflektojnë e ndryshojnë. Ka nga ata që e konsiderojnë politikën si biznes dhe pjesa tjetër e heshtur është modeste, disa nuk kanë lindur ende”-tha Patozi.
Sipas tij, të gjitha forcat opozitaret duhet të bashkohen dhe të jenë një ofertë e re për shoqërinë, të marrë fund autokracia dhe të ndryshohet sistemi. Nëse nuk ndryshohet ky sistem, sipas Patozit, nuk do mund të goditet pushteti i Ramës e as kryetarokracia siç e quan ai.
“Të gjithë vektorët opozitarë që s’kanë lidhje as me foltoren e me vulën, duhet të bëjnë një koalicion mbi një projekt politik që duhet të jetë ofertë për shoqërinë. Që ky sistem s’është fatkeqësi natyrore, këtë e ka bërë njeriu dhe kjo zhbëhet. Këtu duhet të jenë të ftuar edhe dy kontingjentët e pashërueshme. Në rast se Berisha apo Basha dhe ata që do dalin nga beteja në partinë e Vulës, janë të ftuar ti bashkohen këtij projekti dhe të shkojnë si opozitarë që të ndryshohet sistemi. Nëse nuk ndryshohet sistemi nuk i kemi ofruar shoqërisë projekt politik, që të ndryshojë qeverisjen mendësinë, dhe të godasin pushtetin e kryeministrit, edhe të kryetaro-kracisë së opozitës. Ky është sistem i kalbur që mbahet në këmbë nga ndryshimet kushtetuese të 2008.”
Top Channel