Situata Kosovë-Serbi ka acaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, të cilët prej kohësh janë përpjekur të ulin tensionet dhe të ndërmjetësojnë një zgjidhje për Kosovën, thuhet në një shkrim të New York Times.
Ata dënuan me terma jashtëzakonisht të ashpra dislokimin e forcave të sigurisë në veri të Kosovës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Tensionet në Kosovë vetëm e ndihmojnë Vuçiçin duke ndezur pasionet për territorin që shumica e serbëve e shohin si pjesë të vendit të tyre”, tha Milomir Mandic, menaxheri i përgjithshëm i Demostat.
“Kurti po e ndihmon vazhdimisht Vuçiçin”, përsëriti të njëjtën tezë Pavle Grbovic, një deputet i opozitës në parlamentin serb nga Lëvizja Qytetarët e Lirë, e cila ka ndihmuar në organizimin e protestave në rrugë, në Beograd.
“Askush në skenën politike serbe nuk ka bërë më shumë për pozitën e Serbisë në Kosovë dhe për zotin Vuçiç se z. Kurti”, shtoi ai.
Ndërkohë që diplomatët e lartë amerikanë dhe evropianë janë zemëruar për atë që ata e shohin si provokim nga Kosova, ndërkohë që Serbia është kënaqur që po trajtohet si një partner i rëndësishëm.
Gjenerali Daniel R. Hokanson, një anëtar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, vizitoi Beogradin këtë javë dhe përshëndeti atë, që ai e përshkroi si një “partneritet vërtet fantastik” me Serbinë.
Lavdërimi i tij është pjesë e përpjekjeve amerikane për ta larguar Serbinë nga Rusia dhe për ta drejtuar nga Bashkimi Evropian.
Ka pak shenja se blloku evropian është i interesuar të ringjallë kërkesën e ngrirë prej kohësh të Serbisë për t’u bashkuar, ndërsa kjo e fundit ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, shkruan ndër të tjera New York Times.
Top Channel