Aktivistët dhe familjet e të vrarëve akuzojnë qeverinë iraniane për frikësim

09/06/2023 21:04

Një seri sulmesh mbi varret e protestuesve të vrarë gjatë protestave në të gjithë vendin në Iran, kanë nxitur akuza nga aktivistët dhe familjet e të vdekurve se qeveria po angazhohet në një model të gjerë frikësimi dhe mosrespektimi, për të shuar çdo trazirë të mëtejshme pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgim policor, në shtator tw vitit 2022.

Sipas raportimeve nga familjet e të ndjerit, varret e Majid Kazemit në Isfahan, Abolfazl Adinehzadeh në Mashhad dhe Milad Saeedianjou në Izeh janë vandalizuar ditët e fundit.

Kjo vjen mes raporteve të tjera të fundit për varre të përdhosura të demonstruesve, qw pretendohet se gjatë demonstratave janë vrarë nga forcat qeveritare iraniane dhe personeli i sigurisë.

Qeveria nuk ka bërë komente lidhur me akuzat.

Mohammad Hashemi, kushëriri i Kazemit, tha se forcat e sigurisë, më 7 qershor, kontaktuan familjen e tij dhe thanë se familja nuk kishte të drejtë të shkonte te varri i Majidit, për ditëlindjen e tij të 31-të.

Ai shtoi se, më vonë atë natë, agjentët shkuan në varreza dhe i vunë zjarrin varrit të Majidit.

Nën mbulesën e errësirës, varret e Adinehzadeh dhe Saeedianjou u vandalizuan gjithashtu, ndërsa në një rast tjetër, varri i Majidreza Rahnavard në varrezat e Behesht Reza në Mashhad iu nënshtrua sulmeve të shumta, sipas familjarëve.

Familja e Mahsa Aminit akuzoi gjithashtu forcat e sigurisë për vandalizimin e varrit të vajzës së tyre, vdekja e së cilës shkaktoi protesta mbarëkombëtare që u kthyen në një nga kërcënimet më të mëdha për udhëheqjen e Republikës Islamike që kur mori pushtetin në vitin 1979.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se zyrtarët, duke fshehur vendet e varrimit, duke parandaluar ceremonitë e zisë dhe duke i penguar familjet të vendosin gurët e varrit ose të dekorojnë varret e të afërmve të tyre me lule, fotografi, distinktivë ose mesazhe përkujtimore, po shkelin të drejtat e tyre sipas Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore./ REL

Top Channel