Ndalimi i tatuazheve tek ushtarët/ Japonia rishqyrton vendimin pas numrit të ulët të forcave mbrojtëse

07/06/2023 14:29

Forcat mbrojtëse të Japonisë janë duke rishqyrtuar ndalesën që ekziston për tatuazhe tek ushtarët, pasi përpjekjet për rekrutim po rriten, por numri i popullsisë po tkurret.

Tatuazhet janë temë tabu në këtë shtet, pasi ato lidhen me veprime kriminale.

Mirëpo, tani zyrtarët besojnë se të rinjtë japonezë kanë tatuazhe për arsye të ndryshme dhe jodomosdo lidhen me krime.

Autoritetet, madje besojnë se ndalesa në tatuazhe është duke e ngadalësuar procesin e rekrutimit.

Forcat Japoneze të Vetëmbrojtjes – ushtria e këtij shteti – ka 10 për qind më pak staf, në krahasim me kapacitetin.

“Refuzimi i aplikantëve, vetëm pse kanë tatuazhe, përbën problem sa i përket bazës së burimeve njerëzore”, ka thënë Masahisa Sato, deputet i partisë në pushtet, Partia Demokratike Liberale.

Kryetari i byrosë për personel në Ministrinë japoneze të Mbrojtjes, Kazuhito Machida, ka thënë se ndalesa duhet të rishqyrtohet, duke e marrë parasysh uljen e natalitetit, raporton REL.

Ky shtet me 125 milionë banorë, ka regjistruar më pak se 800.000 lindje më 2022, në krahasim me mbi dy milionë më 1970.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, ka thënë se Japonia duhet ta trajtojë “tani ose kurrë”, çështjen e tkurrjes së numrit të popullsisë.

Top Channel