Spiunoi për rusët, gjendet i vdekur në burg agjenti i FBI-së!

06/06/2023 08:59

Robert Hanssen, i konsideruar si njëri prej agjentëve më të dëmshëm në të gjithë historinë e SHBA-së, u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e sigurisë maksimale në Kolorado.

Hanssen, ish-agjent i FBI-së kishte punuar për Rusinë gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik, dhe në 2002-shin u dënua me burgim të përjetshëm. 79-vjeçari ishte shpërblyer më 1.4 milionë dollarë nga rusët, në formë parash të kaluara në llogari ruse, si dhe me sende të vlefshme e diamante.

Shkaku i vdekjes së tij nuk është konfirmuar ende. Përpara arrestimit, Hanssen jetonte në një shtëpi modeste me katër dhoma gjumi në periferi të Virxhinias me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij. Roli i tij në strukturat e Byrosë Federale të Hetimit i jepte akses në informacione të klasifikuara, duke e kthyer kështu praktikisht në një asset spiunazhi për Moskën.

Aktivitetin kriminal e kishte nisur në 1985, përmes dërgimit të të dhënave në ish-Bashkimin Sovjetik. Hanssen, që ishte bërë officer i FBI-së janarin e vitit 1976, përdorte pseudonimin “Ramon Garcia” kur korrespondonte me bashkëpunëtorët e tij rusë. Sipas faqes së internetit të FBI-së, ai “komprometoi burime të shumta njerëzore, teknika kundërzbulimi, hetime, dhjetëra dokumente të klasifikuara të qeverisë amerikane dhe operacione teknike me rëndësi dhe vlerë të jashtëzakonshme”.

Edhe pse kishte disa dyshime rreth aktiviteteve të tij të pazakonta herë pas here gjatë asaj kohe, ai nuk ishte kapur për vite me radhë, dhe vetëm pas arrestimit të agjentit Aldrich Hazen Ames nga FBI më 1994, byroja kuptoi se informacioni i klasifikuar ende vazhdonte të rridhte dhe kjo gjë kishte nxitur hetimin ndaj Hanssen.

Top Channel