Sëmundjet seksualisht të transmetueshme, gonorrea dhe sifilizi janë rikthyer në Angli, ndërsa numri i rasteve gjatë vitit që lamë pas ishte më i larti.

Shifrat vjetore nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) tregojnë se diagnozat e gonorresë u rritën në 82,592 në 2022, një rritje prej 50,3% krahasuar me vitin 2021, që ishte 54,961, sipas Sky News.

Ky është numri më i lartë i diagnozave në çdo vit që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1918, tha agjencia.

Të dhënat tregojnë se diagnozat e sifilizit u rritën në 8692 në vitin 2022, numri më i madh vjetor që nga viti 1948.

Personat e moshës 15 deri në 24 vjeç kanë më shumë gjasa të diagnostikohen me IST për shkak të ndryshimit të partnerëve seksualë më shpesh sesa grupmoshat e tjera.

Dr Hamish Mohammed, konsulent epidemiolog në UKHSA, tha: Ne pamë më shumë diagnoza të gonorresë në vitin 2022 se kurrë më parë, me rritje të mëdha, veçanërisht te të rinjtë. IST-të nuk janë thjesht një shqetësim, ato mund të kenë një ndikim të madh në shëndetin tuaj dhe atë të çdo partneri seksual.

“Perzervativët janë mbrojtja më e mirë, por nëse nuk e keni përdorur një herën e fundit që keni pasur marrëdhënie seksuale me një partner të ri ose të rastësishëm, bëni një test për të zbuluar herët çdo infeksion të mundshëm dhe për të parandaluar kalimin e tyre te të tjerët. Testimi është i rëndësishëm sepse mund të mos keni asnjë simptomë të një IST”, theksoi ai.

Megjithëse IST-të zakonisht trajtohen lehtësisht me antibiotikë, disa mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, duke përfshirë infertilitetin dhe sëmundjen inflamatore të legenit.

UKHSA u ka kërkuar njerëzve që të përdorin prezervativë dhe të testohen rregullisht nëse kanë marrëdhënie seksuale me partnerë të rinj ose të rastësishëm.

Top Channel