Një incident ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Shëngjin, ku biznesmenes, anëtares së Këshillit Bashkiak dhe njëherazi ish-kandidates së Partisë Demokratike për Këshill në zgjedhjet e 14 majit, Alida Haxhiaj, i janë thyer xhamat e makinës.

Përmes një prononcimi për mediet, Haxhiaj e ka konsideruar ngjarjen një akt vandalist, i cili nuk përbën një mesazh të mirë për publikun në periudhë turizmi.

“Mbrëmë rreth orës 20:00 kam parkuar makinën time në pozicionin që ju e shikoni vetë. Nuk është në vendin më të mirë të mundshëm, por duke pasur parasysh se sot në mëngjes kam për të ikur drejt Shkodrës e kam më të thjesht.

Kur u ngrita në mëngjes pashë makinën time shumë të dëmtuar. Dyshoj se përgjegjës për dëmtimin mund të jenë personat përreth që kanë shkruajtur dhe kanë vendosur tabela gjatë gjithë rrugës “Mos parkoni!”

Unë e konsideroj vetëm si dëm ekonomik, nuk marrë parasysh se këtë mund të ma kenë bërë persona të caktuar si dëm personal. Mendoj se është bërë për të dhënë një shembull të caktuar personave përreth që të mos parkojnë në një ambient që ndoshta e kanë privatizuar. Duan të thonë “kjo është prona jonë, ju mos parkoni sepse ju japim këtë shembull”.

Di të them që jam shumë e shokuar, jam jashtëzakonisht jo mirë. Duke pasur parasysh se është një automjet me targa të huaja, sepse është mjeti i tim shoqi francez, nuk është një shembull i mirë për turizmin, as për Shëngjinin, as për resortin”- tha Alida Haxhiaj.

E pyetur nëse është politike, pasi ajo është aktualisht anëtare e këshillit bashkiak Shkodër dhe njëherazi ish-kandidate nga radhët e PD-së për këshillin bashkiak më 14 maji, Haxhiaj e mohon diçka të tillë, duke theksuar se kjo është vandalizëm, jo akt politik.

“Nuk mendoj se është politike. Nuk besoj se është problem politik të vënë dorën në një makinë, në një pronë private, aq më tepër larg Shkodrës në një pikë turistike. Po ashtu, nuk mendoj se ka ndodhur edhe për shkak të biznesit. Biznesi shkon shumë mirë, kështu që ky është problem i parë dhe shpresoj të jetë i fundit”- tha anëtarja e Këshillit Bashkiak Shkodër, ndërsa i bën thirrje organeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen para drejtësisë të personave përgjegjës sa më parë të jetë e mundur.

“Besoj shumë te policia, besoj shumë te prokuroria dhe duke pasur parasysh që jam edhe person publik, ngjarja do të zbardhet sa më shpejtë të jetë e mundur”– shtoi Haxhiaj.

“Unë kam një hyrje të vogël në resort dhe kam ardhur me pushime. Kam ardhur të shtunën, me idenë se do të largohesha sot në mëngjes por po iki bukur me karrotrec”– përmbylli Haxhiaj.

Policia Lezhë ka reaguar lidhur me deklaratën e saj se “blutë” nuk kanë shkuar në kohë.

“Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi deklaratën e shtetases A. H., për reagim të vonuar nga shërbimet e Policisë. Më datë 05.06.2023, në orën 07:49, shtetasja A. H., 43 vjeçe, banuese në Shkodër, ka kallëzuar me anë të telefonit në Sallën Operative Lezhë, se i kishin dëmtuar xhamat e automjetit që e kishte parkuar afër banesës së saj, në rrugën Shëngjin-Kune.  Në orën 08:00, në adresën e dhënë kanë mbërritur shërbimet e patrullës së përgjithshme, të cilët pasi kanë konstatuar dëmtimin e xhamave të automjetit të shtetases A. H., kanë raportuar te Salla Operative Shëngjin. Pas disa minutash, në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe grupi hetimor, i cili ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, përcaktimin e shkakut të dëmtimit të automjetit, identifikimin dhe kapjen e autorit”, sipas policisë.

Top Channel