Shisnin drogë në Dhërmi, vihen në pranga dy turistë anglezë dhe një tjetër shpallet në kërkim

04/06/2023 14:12

Dy turistë anglezë janë vënë në pranga pasi u kapën duke shpërndarë doza kokaine, kanabisi dhe ekstazi në Dhërmi.

Gjatë kontrollit fizik të dy të arrestuarve S. R., 27 vjeç dhe R. D., 33 vjeç, iu gjetën rreth 50 doza të lëndëve narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 aparate celulare dhe 2 peshore elektronike.

Gjithashtu u sekuestruan shuma parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, konkretisht 3 milion e 260 mijë lekë, 12 mije e 110 euro dhe 2 mijë e 60 paund.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 3 shtetas që kishin ardhur si turistë nga Anglia në Dhërmi, para disa ditësh, bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel