Veiz Basha nga Lazarati dhe gjithë familja e tij janë marrë gjithë jetën me blegtori por gjatë 3 viteve të fundit ai ka krijuar një kope të vogël gomaricash.

Arsyeja fillimisht u motivua me konsumin e qumështit për familjen e tij gjatë pandemisë si një kurë qindravjeçare popullore kundër sëmundjeve të frymëmarrjes. 3 vite më parë Veizi bleu vetëm një për ta provuar dobinë e qumështit.

Sot Veizi dhe familja e tij kujdesen për rreth 20 gomarica dhe arrijnë të marrin 10 litra qumësht në ditë produkt  që gjen treg me shumë vështirësi për shkak të njohjes ende të ulët dhe mungesës së tregut të konsoliduar.

Shpesh qumështi shkon si porosi deri në Kosovë por ka edhe raste që qumështi i pashitur bëhet djathë për të mos shkuar dëm. Djathi i gomaricës e ka pothuajse të pamundur tregun më Shqipëri.

Liza njëra prej gomaricave të para të tufës pret të sjellë në jetë brenda pak ditësh mëzin e saj të dytë kështu që kujdesi për të është i veçantë.

Gomari si kafshë është pothuajse në zhdukje në Jug të Shqipërisë. Numri i tyre erdhi duke u zvogëluar vit pas viti pasi nuk po përdorej më as si kafshë dore nëpër ferma.

Për pasojë mungon regjistri kombëtar i tyre dhe njëherazi mbështetja me subvencione, trajtime mjekësore, vaksinime.

Rastet e fermave për qumësht gomarice  janë ende shumë të rralla kështu që familja Basha detyrohet ti realizojë shërbimet tërësisht me mundësitë private.

Top Channel