Moti i paqëndrueshëm ka diktuar frekuentimin masiv të plazheve të Durrësit në këtë fillim vere, por operatorët turistike shprehen se prenotimet për qershorin janë të mira dhe gjithçka është gati për një sezon të mbarë.
“Për këtë fundjavë prenotimet janë pak të vakëta pasi është dhe faktori kohë.
Sezoni ka filluar me kohë të keqe, po ne jemi gati. Këtë vit bazuar te prenotimet konstatojmë se ka ndryshuar klientela. Po vijnë norvegjezë dhe finlandezë. Pothuajse i gjithë qershori është prenotuar nga kjo klientelë. Kjo do të thotë që cilësia e plazheve dhe turizmit shqiptar po rritet. Kemi standard më të lartë, gjë që tregon se ne jemi atraktivë“, thotë Indrit Nuredini, sipërmarrës turistik.
Edhe pse plazhet nuk zhurmojnë si zakonisht në këtë fundjavë të parë qershori, trafiku është i ngarkuar dhe pushuesit vendas e të huaj nuk mungojnë.
“Jam nga Mynihu dhe ndjehem shumë mirë këtu. Isha dhe vitin e kaluar dhe më pëlqen shumë këtu”, thotë një turiste.
“Është hera e dytë që vijmë dhe është bukur. Gjithçka na pëlqen. Plazhi, njerëzit. Jemi nga Rumania“, shprehet një tjetër turiste.
Të gjitha energjitë e operatorëve turistikë janë përqendruar te rritja e standardit dhe cilësia e shërbimit për të gjithë pushuesit që kanë zgjedhur Durrësin si destinacion pushimesh këtë sezon.
“Në turizëm më tepër duhet të fokusohesh për të investuar te faktori njeri se te pjesa e luksit. Turistët duan siguri, pastërti, komoditet dhe shërbim“, shprehet Nuredini.
Top Channel