Akuza për korrupsion në Shëndetësi/ SPAK: Duro mori 330 mijë lekë për tenderin e qendrave shëndetësore

03/06/2023 15:09

Gara midis tetë kompanive, prej të cilave doli fituese vetëm njëra prej tyre, e cila për vlerën e 800 mijë lekëve do të supervizonte rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në Tiranë dhe në Durrës, ekspozoi korrupsionin e radhës në fushën e tenderave.

Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e cila kishte një vit që e mbante këtë post u kap nga SPAK pasi iu paguan 330 mijë lekë për këtë favorizim. Shuma sipas versionit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, iu pagua sekretares së përgjithshme nga një tjetër nëpunëse e shtetit, e identifikuar si Laureta Sheto, me detyrë specialiste e nivelit të lartë të Agjencisë së Shërbimeve Publike të Integruara.

Shuma e parave, për të cilat SPAK thekson se janë përfitim i parregullt, janë sekuestruar në vazhdimësinë e operacionit, në zyrat e sekretares së përgjithshme, që gjenden në Ministrinë e Shëndetësisë.

SPAK këmbëngul se hetimet po vijojnë ende për akuzat e korrupsionit, por të kontaktuar nga Top Channel, burimet sqaruan se nuk mund të japin më tepër informacion, për të mos dekonspiruar hetimet, që në fakt u bënë të njohura nga kryeministri. Megjithatë, rezulton se Ministria e Shëndetësisë si autoriteti kontraktues që është denoncuar disa herë në SPAK për tenderat, hapi garën në 10 maj dhe e mbylli në datën 22 me objekt kontratë shërbimi. Fituesi, që është një kompani e themeluar në 2015, dyshohet se u favorizua.

Megjithë operacionin hetimor të deklaruar nga SPAK se nisi ditën e premte, deri më tani janë të arrestuara vetëm dy shtetase për afera korrupsioni. Ndërkohë, askush tjetër në këtë dosje, nuk është shoqëruar dhe nuk është pyetur, në vazhdën e hetimeve që konsiderohen me metodat speciale të hetimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA