Ilaçi për kancerin e gjirit ul rrezikun e rikthimit me 25%

02/06/2023 15:38

Rezultatet e testeve tek mijëra gra janë paraqitur në Konferencën e Onkologjisë në SHBA

Më shumë se 2 milionë njerëz në mbarë botën diagnostikohen çdo vit me këtë sëmundje, që është dhe forma më e përhapur e kancerit në botë. Megjithëse trajtimet janë përmirësuar në dekadat e fundit, shumë pacientë më vonë kanë përjetuar rikthimin e kancerit pas disa vitesh. Por problem qëndron se nëse rikthehet ai është në një fazë më të avancuar.

Testet e fundit janë një shpresë e madhe për shumë të sëmurë. Mijëra gra me formën më të zakonshme në botë të kancerit të gjirit kanë shumë shanse shërimi nga një ilaç i suksesshëm që i ndihmon ato të jetojnë më gjatë duke minimizuar shumë rrezikun e rikthimit të sëmundjes.

Shpresa për ta është një molekulë e njohur me emrin (ribociclib) që iu shtua trajtimit standard të endokrinës të pacientëve të sëmurë. Rezultatet e testeve tregojnë se mund të rrisë mbijetesën dhe të ulë ndjeshëm shanset e rikthimit të kancerit.

Trajtimi me ribociclib ka treguar edhe më parë se ndikon tek pacientët me kancer gjiri, sëmundja e të cilëve është përhapur, duke iu dhënë shumë shanse për shërim. Por ky studimin e ri, tregon gjithashtu se ky trajtim është po aq efikas edhe tek ata pacientë që janë në fazë të avancuar të kancerit të gjirit.

Testet te pacientët me kancer në fazë të avancuar treguan se ribociclib ulte rrezikun e përsëritjes me 25% kur përdorej bashkë me terapinë standarde hormonale, në vend të terapisë hormonale vetëm, siç dhe tradicionalisht është trajtuar kjo sëmundje.

Pacientëve me kancer të gjirit zakonisht u ofrohet operacioni dhe kimioterapia ose trajtimi me rrezatim përpara se të marrin ilaçe që bllokojnë hormonet në përpjekje për të ndaluar përsëritjen e sëmundjes. Kanceri i gjirit HER2-negativ me receptorin hormonal është nëntipi më i zakonshëm i sëmundjes.

Në Shqipëri gjatë viteve të fundit, rastet e prekura vetëm nga kanceri i gjirit janë rritur me 6% ndërsa vdekshmëria shënon ulje të lehtë. Ai është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe i dyti në popullatën e përgjithshme në vend.

Ndërkohë që epidemia globale e kancerit është e madhe. Parashikohet që të kemi rritje me 19.3 milionë raste në vit në botë deri në vitin 2025, krahasuar me 14.1 milionë në vitin 2012.

Në vendin tonë, bazuar në të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Kancerit, çdo vit në Shqipëri shfaqen rreth 6000 raste të reja me tumore. Ato shkaktojnë mbi 16% të të gjitha vdekjeve. Rreth 10% e vdekjeve nga tumoret janë nën moshën 50 vjeç. Të dhënat zyrtare të ISHP-së tregojnë se, tumoret më të shpeshta janë ai i mushkërive, me rreth 800 raste të reja dhe tumori i gjirit, me rreth 700 raste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA