Nga janari niveli i depozitave në banka është në rënie. Të dhënat tregojnë se janë 41 miliardë lekë apo 3% më pak kursime në sistemin bankar.  

Rënien më të madhe e kanë depozitat në valutë, të cilat janë ulur me gati 28 miliardë lekë, ndërsa ato të ruajtura në monedhën kombëtare janë ulur me 13 miliardë lekë në harkun e katër muajve. Një rol kryesor në këtë ka luajtur edhe zhvlerësimi i euros që në harkun e një viti ka një tkurrje me 10%.

Sa i përket kredive ndërkohë, të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se indikatori i kredisë së re është ngadalësuar gjatë prillit, me 3% në krahasim me një vit më parë. Por, totali i kredisë për ekonominë vijon të jetë më i lartë.

Në raportimin vjetor përpara komisionit të ekonomisë, guvernatori i bankës së Shqipërisë shprehet se shifrat janë të parashikueshme në situatën e krizës së çmimeve.

“Kreditimi është në rritje pozitive, pavarësisht nga ndikimi i normave të interesit tregojnë që kanë pritshmëri të mira. Ritmet e rritjes do të jenë më të ulëta, pasi në këtë situatë krize ka edhe efekt nga aftësitë paguese të klientëve. Por, nga të dhënat që kemi marrë nga bankat, ne do të vazhdojmë të kemi rritje kreditimi. Presim edhe që norma e kredive me probleme të mos rritet, edhe pse kjo ishte ndër frikrat tona më të mëdha”- thotë Sejko.

Gjatë pjesës së parë të vitit ishte kredia në valutë, ajo që udhëhoqi rritjen, për shkak të normave favorizuese të monedhës europiane, ndërsa me vendimet e fundit të Bankës Qendrore Europiane, huamarrja është më e kushtueshme në euro, ndërsa leku po ofron norma interesi më të ulëta.

 

Top Channel