Zemra “vret” shqiptarët! Arsyeja kryesore e vdekjeve për shkak të obezitetit, duhanit dhe qëndrimit ulur

29/05/2023 19:34

Sëmundjet e zemrës po i vrasin shqiptarët. Pikërisht problemet shëndetësore të zemrës janë shkaktari kryesor i vdekjeve në vendin tonë.

Sipas të dhënave referuar Institutit të Statistikave, për vitin 2022, më shumë se gjysma e vdekjeve erdhi si pasojë e sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjakut.

”Sëmundjet kardiovaskulare sot njihen si pandemi e heshtur. Duke ju referuar të dhënave të OBSH, Shqipëria është renditur ndër vendet me rrezik të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe pikërisht llogaritet që ne kemi 150-300 sëmundje kardiovaskulare për 100 mijë banorë, dhe kjo është karakteristikë për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”- tha mjekja kardiologe, Engjellushe Hasani.

Rritja e sëmundjeve kardiovaskulare në vendin tonë nisi të vihej re që në periudhën e pandemisë së Covid-19.  Faktorët e rrezikut janë shtuar duke u bërë ndikues stili i jetës, obeziteti, stresi, duhanpirja. Shqetësues mbetet edhe fakti i shfaqjes së sëmundjeve të zemrës edhe tek moshat e reja.

“Kemi shumë në dorë që të ndërhyjmë tek faktorët e modifikueshëm, siç është stili jetesës, mirëmjekimi dhe mirëmenaxhimi i hipertensionit, i diabetit. Kemi një rritje të personave të rinj që janë përfshirë në sëmundje kardiovaskulare, sigurisht te kjo ndikojnë faktorët si puna me orare të zgjatura ose zhvillimi i teknologjisë që ka bërë që njerëzit të punojnë më tepër ulur. Ekziston edhe studim dhe është vënë re që kemi një rritje të vdekjeve të personave që rrinë shumë gjatë ulur”- tha Hasani.

Në Shqipëri gjatë vitit 2022 u shënuan 23.998 vdekje, çka tregon një rënie prej 21,3 % krahasuar me vitin e kaluar. Sa i përket gjinisë, vendin e parë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, e zënë burrat me 53,8 % dhe 46,2% gratë.

Pas zemrës, peshën më të lartë të vdekjeve e mban grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, me 20,3 %. Ndërsa në vend të tretë qëndrojnë sëmundjet tumoriale me 13.5%.

Sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e parë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë numri i vdekjeve nga zemra është 17.9 milion në vit, ndërsa pritet që deri në vitin 2030 ky numër të rritet e të shkojë në 22.2 milionë vdekje në vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA