Fiks Fare/ “Shkova të mbjell flokët, më paralizuan skalpin e kokës”, denoncimi për spitalin “Sante Plus”

29/05/2023 20:40

Një qytetar nga Tirana denoncoi në emisionin “Fiks Fare” mjekët dhe drejtuesit e Spitalit “Sante Plus”, spital në të cilin kreu një mini ndërhyrje për mbjelljen e flokëve.

Ilir Gjuzi thotë se këtë operacion e ka bërë në muajin gusht të vitit 2022. “Operacionin e bëra duke qenë se kishte oferta. Flas me drejtoreshën e spitalit dhe ramë dakord edhe për çmimin.

Më tha hajde kur të duash. Ka qenë në muajin gusht, data 22. Atë ditë shkojmë në sallë dhe takojmë dy mjek turk. Sipas drejtoreshës ishin mjekë, por për mendimin tim s’kanë qenë mjek për këtu në Shqipëri. Kanë qenë të pa licencuar. Emrat s’ia di” thotë Iliri, ndërsa tregon edhe për ndërhyrjen.

“Zgjati 5 orë dhe më pas ngrihem dhe iki në shtëpi, mbaroj punë me spitalin. 1 muaj e gjysmë kam qenë i mpirë se më bënë 5 a 6 gjilpëra mpirjesh. Pas 1 muaj më doli anestezia dhe në një pjesë të kokës s’kisha ndjeshmëri. Shkoj në spital dhe kërkoj shpjegime. Më thonë do të presësh se mbase kalon. Kërkoj shpjegime vazhdimisht, por drejtoresha më thotë do bëjmë masazh mbase kalohet me masazh. Vij dhe bëj 4 a 5 herë masazh dhe asnjë lloj rezultati” vijon denoncuesi, ndërsa shpjegon se “mjekët që kanë bërë operacionin si kam takuar asnjëherë”.

“Nga momenti që bënë këtë ndërhyrje, s’i kam parë në spital. Kam 5 muaj që vij rregullisht në spital. Kërkoj takim me drejtoreshën, i them më trego emrat e mjekëve dhe licencat. Ajo u stresua pasi s’kishte ç’të bënte. Më ngriti zërin. Mua më vazhduan të njëjtat probleme shëndetësore, përveç mpirjes,  parezës së lëkurës, problemit të lëkurës dhe stresit që më kanë krijuar. Më del dhe gjumi natën nga shqetësimi që kam”, vijon ai.

Fiksi e pyet nëse është vizituar në vende të tjera, ndërsa Ilir Gjuzi thotë se “kam shkuar te Spitali Nr.5, te Neurologjia, kam marrë kontakt me një mjek dhe më ka konstatuar që është pjesë e parezës. Ka dëmtime në skalpin e kokës. Ishin shkaktuar nga pjesa e ndërhyrjes që bëra në këtë spital për mbjelljen e flokëve”.

“Unë s’kam kartelën time, as emrat e mjekëve. As çfarë medikamenti që është përdorur në atë operacion. Më kanë larguar me forcë nga spitali. Unë kërkoj në radhë të parë të drejtën time se përse ndodhi kjo parezë. Përse këto probleme në shëndet? Të më japin një shpjegim se përse të fusin mjekë praktikant te unë për të bërë një ndërhyre. Edhe për emrat e mjekëve më thanë është informacion i brendshëm dhe s’na lejohet të japim emrat e mjekëve. Edhe nëse shkoj sot, askush s’më jap asnjë lloj informacioni. As më fusin brenda”, thotë qytetari.

Pas ankesës, Iliri shkon te Spitali “Sante Plus” dhe tenton që të takojë drejtuesit, ndërsa kërkonte që të merrte të paktën kartelën. Fillimisht, ai nuk lejohet nga policët e sigurisë me arsyetimin se “je problematik, nuk do futesh”. Roja i thotë se je person i padëshiruar dhe këta persona nuk i lejojnë të futen. “Kam urdhër nga i gjithë spitali” i thotë roja, teksa tenton ta largojë me forcë nga dera.

Pas disa momentesh, te dera e Spitalit “Sante Plus” shkon edhe 1 patrullë policie. “Ata (drejtuesit e spitalit) të thanë do të shkosh për mjekim në Turqi. A thanë këtë? Për mjekim të thanë për jashtë shtetit. The jo. Të kthejmë lekët mbrapsht” i thotë polici denoncuesit, duke bërë edhe “zëdhënësin” e këtij spitali. Qytetari i thotë që të shkojnë dhe t’i japin informacion se përse ka ndodhur e gjitha kjo. “Ja që s’të takon asnjë! Ishim bashkë me ata dhe thanë dy opsione ka; ose mjekim jashtë shtetit ose të kthejmë lekët mbrapsht. Kaq.  Nuk zhbëhet më ai që është bërë, nuk zhbëhet”,  i thotë polici.

Denoncuesi nuk pranon të largohet pa marrë një informacion nga spitali. Pas shumë minutash pritje, debat me policët e sigurisë, me policët e patrullës apo edhe me punonjës të tjerë, te dera e spitalit shfaqet një mjek turk. “Më tha që ndërhyrjen te pjesa e qeseve të syrit do ta bëjë unë, Geri drejtoresha e spitalit. Geri është me profesion stomatologe. Si mund të ndërhyjë ajo te fytyra ime kur s’është e asaj fushe. Dhe nuk ke pse tallesh me mua bëj pak masazh se ikën, nuk ikën! Ata (mjekët) duke ndërhyrë te unë duke parë telenovela” i thotë qytetari mjekut turk dhe atij shqiptar. Më pas, mjeku turk e viziton te pjesa e kokës.

“Në qoftë se do të kishe këtë humbjen e ndjesisë këtu, humbjen e ndjesisë këtu, këtu gjithandej, atëherë ne do të dyshonim për një problem në tru. Përderisa problem është te kjo pjesa ku ke bërë, ku të është bërë mjekimi i flokëve, atëherë është një diçka që mund të zgjasë 6-12 muaj” i thotë. Më pas i shpjegon se dëmtime fizike ka.

“Tash për te ti që është diçka tjetër kontraktimi në lëkurën tënde. Kontraktimi me steroide që ushqejnë nervat, se koka ka nerva shumë. Pastaj me kalimin e kohës, doktoresha do të vijë se është specialiste ajo, nga Turqia, do të vendosë ajo nëse do të bësh trajtim njëherë apo do të bësh edhe për pjesën e revizionit që këto pjesë si xhufka të rregullohen. Ajo do të vendosë nëse do bëjmë njëherë trajtimin apo do bëjmë pjesën e revizionit” ishte përgjigjja e vizitës, teksa denoncuesi i përgjigjet se “tek y spital s’mund të vij dot më. Kur bëhet një ndërhyrje, meku të ndjek nga A-ja te ZH-ja. Unë si kam parë më këto mjek. A kanë licencë këto dy mjekë?”.

Pas këtyre përgjigjeve, gazetarët e Fiks Fare shkuan në ambientet e Spitalit “Sante Plus”, duke pyetur zyrtarisht për rastin e pacientit Ilir Gjuzi. Por, asnjë prej drejtuesve apo mjekëve nuk pranoi të japë shpjegime. Fiksi i dërgoi disa pyetje se çfarë ka ndodhur me pacientin, çfarë medikamenti kanë përdorur, kush e bëri operacionin, a ka kartelë mjekësore? Këto pyetje, Fiksi i adresoi fizikisht te Sporteli i Spitalit “Sante Plus”, në e-mail, por edhe në faqet e rrjeteve sociale. Por, përgjigjja e vetme që morëm nga ky Spital, ishte vetëm një “zemër” në rrjetin social “Instagram”. Deri në transmetimin e këtij investigimi, drejtuesit nuk iu përgjigjën asnjë pyetje!

***

Qytetari shkon dhe interesohet te spitali privat “Sante Plus”

Roja i sigurisë – Urdhër nga policia që Ilir nuk lejohet?

Denoncuesi – Urdhër nga policia?! Nga kush polic?

Roja i sigurisë – Nga ai që bridhte me ty. Urdhrin e kam me gojë.

Denoncuesi – Ka mundësi të largohesh?

Roja i sigurisë – Jo. Je problematik. Je problematik nuk do futesh. Merr kë të duash në telefon.

Denoncuesi – Largohu të lutem.

Roja i sigurisë – Jo.

Denoncuesi – Mos më prek me dorë.

Roja i sigurisë – Jo nuk hyn këtu!

Denoncuesi – Je roje objekti.

Roja i sigurisë – Njerëz të padëshiruar nuk i lejojmë. Unë lë kokën, ti nuk hyn këtu.

Denoncuesi – Kush e ka dhënë urdhrin?

Roja i sigurisë – I gjithë spitali!

Denoncuesi – Unë do marr shpjegim.

(Në ambientet e spitalit vjen 1 patrullë policie)

Roja i sigurisë – Shpjegim do marrësh te shefi (polici).

Polici – Çfarë problemi keni?

Roja i sigurisë – Nuk ikën nga këtu.

Polici – A i kanë dhënë sqarime zotërisë?

Roja i sigurisë – Nuk e di!

Denoncuesi – Unë jam një pacient i këtij spitali që kam bërë një ndërhyrje.

Polici – Ata (drejtuesit e spitalit) të thanë do të shkosh për mjekim në Turqi. A thanë këtë?

Denoncuesi – Kush e ka thënë?

Polici – Këta pra!

Denoncuesi – Unë s’kam asnjë dokument! Me llafe goje s’i besoj unë këtyre. Të lutem.

Polici – Jo të dëgjova unë ty, për mjekim të thanë për jashtë shtetit. The jo.

Denoncuesi – Të thashë që nuk pranoj!

Polici – Të kthejmë lekët mbrapsht.

Denoncuesi – Ça lekësh?

Polici – Lekët që të kanë marrë.

Denoncuesi – Po mirë mo më kanë lënë pasoja! Jam i paralizuar.

Polici – Çfarë zgjidhje do të gjesh këtu?

Denoncuesi – Të vijnë të më japin një shpjegim, arsyeja përse ka ndodhur kjo. Dy mjekët që kanë punuar te unë, pse i kanë qitur pa licencë dhe i kanë futur praktikantët te unë.

Polici – Ja që s’të takon asnjë! Ishim bashkë me ata dhe thanë dy opsione ka; ose mjekim jashtë shtetit ose të kthejmë lekët mbrapsht. Kaq.

Denoncuesi – Unë s’dua lekët mbrapsht, unë dua problemin që më kanë shkaktuar.

Polici – Nuk zhbëhet më ai që është bërë, nuk zhbëhet.

Denoncuesi – Dhe vjen më kërcënon ky (polici privat).

Roja i sigurisë – Ku është kërcënimi, ik mos na çaj bythën.

Denoncuesi – Hajde, hajde …

Polici – O zotëri a ka mundësi.

Roja i sigurisë – Ik mos na çaj bythën.

Denoncuesi – Po në distancë a mund të flas?

Polici – Zotëri të lutem se kemi punë të tjera.

Denoncuesi – Po mirë në distancë a mund të flas, ja dakord po rri këtu. Po pres një doktor të më japë sqarim! Unë nuk iki nga këtu sot.

Pas 1 ore vjen një doktor turk

Mjeku – Se është kirurg i përgjithshëm.

Denoncuesi – Kirurg i përgjithshëm?!

Mjeku – Po, profesor.

Denoncuesi – Mua më kanë ardhur 4 veta që më janë prezantuar si drejtorë, drejtoreshën, nëndrejtoreshë …

Mjeku – (I shpjegon mjekut turk situatën e denoncuesit). Prej 2 muajsh ka pasur probleme pas interventit, aktualisht vihet re humbje e ndjeshmërisë.

Denoncuesi – Më tha që ndërhyrjen te pjesa e qeseve të syrit do ta bëjë unë, Gëri drejtoresha e spitalit. Geri është me profesion stomatologe. Si mund të ndërhyjë ajo te fytyra ime kur s’është e asaj fushe. Dhe nuk ke pse tallesh me mua bëj pak masazh se ikën, nuk ikën! Ata (mjekët) duke ndërhyrë te unë duke parë telenovela.

Mjeku – E para e punës në të bëjmë më të mirën tonë që më kqyrë është diçka që mund të rikuperohet.

Mjeku turk e viziton fizikisht

Mjeku – A po e ndjen?

Denoncuesi – Jo.

Mjeku – Këtu?

Denoncuesi – Jo.

Mjeku – Te kjo pjesa?

Denoncuesi – Po këtu ndjej. Dhe këtu po. Jo këtu s’ndjej asnjë gjë. Jo, bëjë më fortë se s’ka ndonjë gjë.

Mjeku – A po ndjen?

Denoncuesi – Jo, aty s’ndjej gjë.

Mjeku – Tash?

Denoncuesi – Jo. Këtu pak ndjej, pjesën e ftohjes.

Mjeku – Në qoftë se do të kishe këtë humbjen e ndjesisë këtu, humbjen e ndjesisë këtu, këtu gjithandej, atëherë ne do të dyshonim për një problem në tru. Përderisa problem është te kjo pjesa ku ke bërë, ku të është bërë mjekimi i flokëve, atëherë është një diçka që mund të zgjasë 6-12 muaj.

Denoncuesi – Ka raste që nuk lirohet fare. Në varësi të dëmtimit që është bërë.

Mjeku – Jo dëmtimi në rregull, po është diçka përshembull që nuk humb funksionaliteti. Tash për te ti që është diçka tjetër kontraktimi në lëkurën tënde. Kontraktimi me steroide që ushqejnë nervat, se koka ka nerva shumë. Pastaj me kalimin e kohës, doktoresha do të vijë se është specialiste ajo, nga Turqia, do të vendosë ajo nëse do të bësh trajtim njëherë apo do të bësh edhe për pjesën e revizionit që këto pjesë si xhufka të rregullohen. Ajo do të vendosë nëse do bëjmë njëherë trajtimin apo do bëjmë pjesën e revizionit.

Denoncuesi – Tek y spital s’mund të vij dot më. Kur bëhet një ndërhyrje, meku të ndjek nga A-ja te ZH-ja. Unë si kam parë më këto mjek. A kanë licencë këto dy mjekë?

FOTO GALERI
7/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA