Vdekja e rusëve në Qerret/ Prokuroria në pritje të letërporosisë nga Rusia, sonte në “Exclusive” detajet e hetimeve

28/05/2023 12:45

Hetimet e Prokurorisë së Durrësit për vdekjen e 4 shtetasve rusë në Qerret të Kavajës janë të “ngrira” në pritje të përgjigjes së letërporosisë nga autoritetet ruse.

“Hetimet janë në vazhdim por pritet përgjigja e letërporosisë nga rusët, ndaj hetimet janë pezulluar përkohësisht”, konfirmuan për Top Channel burime nga grupi hetimor i çështjes.

Akuza shqiptare ka kërkuar informacion përmes letërporosisë mbi të kaluarën e shtetasve rusë që u gjetën pajetë në vjeshtën e vitit 2021, si dhe rezultatet e autopsisë së tyre, përfshirë dhe informacione të tjera që mund të ndihmojnë hetimin dhe zbardhjen e vdekjes së dyshimtë. Mbrëmjen e 15 tetorit 2021, në pishinën dimërore të një hoteli buzë detit në Kavajë, u gjetën pajetë Sergei Burenkov, 60 vjeç, bashkëshortja e tij Natalia Burenkova, 58 vjeç, vajza e tyre Ekaterina Burenkova, 31 vjeç dhe partneri i saj Nikita Belousov, 37 vjeç. Mbeten të paqarta rrethanat që çuan në vdekjen e tyre që vazhdon të jetë e rrethuar nga misteri.

Dyshimi kryesor mbetet vdekja nga asfiksia në prani të një substance ende të papërcaktuar nga hetimet e deritanishme. Disa javë pas ngjarjes u krye dhe një eksperiment hetimor në ambientet e spa-së së hotelit dhe pikërisht në zonën e pishinës ku u gjetën të vdekur katër rusët.

Sipas mjekësisë ligjore, vdekja e njëkohshme e Sergeit, Natalisë, Ekaterinës dhe Nikitës ka ardhur nga asfiksia, po pa arritur të përcaktohet se nga cilat shkaqe u shkaktua ajo që të çonte në reagim të njëjtë te 4 rusët. Gjatë hetimit, punonjësi i mirëmbajtjes Ndriçim H. Pati deklaruar se kishte hedhur sasinë e zakonshme për klorifikimin e ujit. Gjatë eksperimentit, u synua krijimi i të njëjtave kushte në ambientet e pishinës, e njëjta nxehtësi dhe sasi e nivelit të klorit në ujin e saj për të kuptuar reaksionet e mundshme kimike, për të sqaruar dyshimet nëse krijoheshin kushtet nga këta faktorë për të çuar në asfiksi vdekjeprurëse për 4 persona njëkohësisht.

Të premten e 15 tetorit 2021, rreth orës 10 të mbrëmjes, 4 turistët rusë pasi u kthyen nga një vizitë në Ohër, patën zbritur në katin e nëndheshëm të hotelit për t’u larë në pishinë. Ata e kishin rezervuar këtë shërbim më parë me telefon. Gjatë hetimeve të para, mjekësia ligjore pati përjashtuar dyshimet se viktimat kishin përdorur lëndë psikotrope.

Në pritje të përgjigjes nga Rusia, hetimet për këtë vdekje të mistershme do të qëndrojnë përkohësisht të pezulluara.

“Exclusive” në Top Channel sjell sonte detaje të kësaj dosje që vuri në alarm autoritetet shqiptare.

Top Channel