“Notre Dame De Paris” në Tiranë, Elhaida Dani rrëfen përjetimet në “Flasim”: E bindur se do ketë sukses të jashtëzakonshëm

27/05/2023 09:40

Këngëtarja e mirënjohur Elhaida Dani ishte e ftuara e episodit të “Flasim” të kryeministrit Rama, e cila foli për spektaklin më të shikuar në Evropë “Notre Dame De Paris” që do të mbahet për herë të parë në Tiranë ditën e nesërme më 28 maj.

Artistja do të interpretojë rolin e Esmeraldës në shfaqjen e “Notre-Dame de Paris”, e cila do të mbahet në stadiumin ‘Air Albania’, dhe si çdo ‘detyrë’ tjetër që merr përsipër, Elhaida Dani premtoi sukses.

“Ka 25 vjet që Notre- Dame ka lindur, në 97 dhe ka kaluar në gjithë botën dhe ka çifte që atëherë vinin vetëm, vinin çift, vinin me fëmijë të vegjël, sot kthehen fëmijët e tyre ta shohin dhe do ndodhë e njëjta gjë për vite me radhë. Është i vetmi dhe i pari spektakël në Europë që ka bërë diçka të tillë dhe pasi ka lindur Notre-Dame dhe pasi ka treguar që njerëzit mund të dashurojnë një spektakël të tillë në këto nivele, shumë autorë të muzikës franceze dhe jo vetëm kanë filluar të krijojnë musical të tjerë për t’iu afruar kësaj magjie, por Notre-Dame ha bukë më vete le të themi.

Jam e bindur që shqiptarët që do vijnë ta shohin, jo vetëm që do u ndikojë jetën e tyre sot për sot, por jam e bindur që mezi do presin që, nëse do jetë mundësia të rikthehet sërish në Shqipëri Notre-Dame, të vijnë ta shohin sërish dhe nëse nuk do të kthehet sërish në Shqipëri, – që do kthehet, – por nëse nuk rikthehet ata do marrin biletat dhe do ikin në Paris, në New York, në Stamboll, London e nuk e di, ku të jetë, por vetëm ta shohin dhe të ndjejnë ato emocione që do ndjejnë të dielën në stadiumin Air Albania.”-tha Elhaida Dani.

Rama tha se fakti që kjo shfaqje po sillet për herë të parë në Shqipëri është event i jashtëzakonshëm dhe garanton spektakël të përmasave të mëdha.

Nëse janë më pak se 30 vende ku është realizuar shfaqja, hyn Shqipëria dhe kjo është e jashtëzakonshme sepse unë e di se çfarë kam hequr për ta bërë të mundur këtë bashkë me ty, por ti ke hequr më shumë se unë sepse nuk është e lehtë për ne për të garantuar një spektakël të këtyre përmasave, që është si të sjellësh këtu një fabrikë, nga pikëpamja e gjithë skenave e të tjerë, është një fabrikë që ndërtohet për një natë, por ajo që mbase nuk duhesh të ikësh pa e thënë është pse duhet të vijë një njeri që nuk është një fans i kësaj lloj muzike të shikojë Notre-Dame?”-tha Rama.

“Nëse und ta them vetëm me një fjalë, unë koncertet, shfaqjet, eventet muzikore të tilla i përkthej në eksperienca, është si të lexosh një libër. Kur unë lexoj një libër, një pjesë e imja ka ndryshuar, nuk jam më i njëjti njeri. Koncertet janë e njëjta gjë. Shfaqjet muzikore janë akoma më tepër dhe Notre-Dame mund ta cilësoj akoma më lart në këtë renditje sepse është 360 gradë një histori dashurie, hakmarrje, lirie, kërkon liri. Notre-Dame, ti sheh një vajzë 16 vjeccare që është Esmeralda dhe që po njeh veten e saj dhe po zbulohet, por në të njëjtën kohë, rrethanat, jeta e përditshme nuk e lejon të rritet, të jetë vetvetja dhe ajo, në atë moshë, lufton për liri dhe është diçka që, sado që flitet për vitet 1482, është aktuale dhe populli, çfarëdolloj niveli, çfarëdolloj shtrese të shoqërisë do të dashurohet në mënyrë të jashtëzakonshme sepse të ndryshon jetën dhe ti do kesh, siç e thashë më parë, dëshirë ta shohësh herë pas herë për të zbuluar detaje të reja, se herën e parë ta ka marrë vëmendjen magjia e muzikës, herën e dytë skenografia, herën e tretë kostumet, balerinët, këngëtarët. Nuk mbaron asnjëherë. Kështu që, nuk duhet humbur për asnjë arsye në botë“-tha Elhaida.

Shfaqja e shumëpritur “Notre Dame de Paris” troket më 28 maj në stadiumin Air Albania. Një nga historitë më mbresëlënëse të të gjithë kohërave vjen në një shfaqje të jashtëzakonshme. Notre-Dame de Paris është një shfaqje muzikore e cila e bëri debutimin e saj të parë më 16 shtator 1998 në Paris. sipas Librit të Rekordeve Guinness, është shfaqja më e suksesshme ndonjëherë në vitin e parë të debutimit të saj. Pas Tiranës kasti do të udhëtojë ne New York.

Top Channel