Autori Habib Rexha

Gjykata e Durrësit la në burg Habib Rexhën, 31-vjeçarin nën hetim për vrasjen e Arjan Gosës të dielën e kaluar në Kavajë, ndërsa vendosi arrest në shtëpi për shokun e tij Ervis Kurti.

Seanca për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj këtyre dy shtetasve u zhvillua të shtunën me dyer të mbyllura. I akuzuar për veprat penale “vrasje për gjakmarrje” dhe ‘armëmbajtje pa leje”, Habib Rexha ka mohuar të ketë pasur si qëllim hakmarrjen, duke deklaruar se vëllai i tij dhe ai i viktimës vranë njëri-tjetrin në konfliktin e 29 marsit, por kur e ka parë viktimën në lokal vendosi ta qëllojë pasi kishte informacione se ai do të hakmerrej ndaj familjes Rexha për vrasjen e vëllait të vetëm.

Habib Rexha u vetëdorëzua në policinë e Kavajës 2 ditë pasi ekzekutoi me një plumb në kokë Arjan Gosën i cili ishte bashkë me babain 78-vjeçar në një lokal të Kavajës. Nga hetimet e deritanishme rezulton se Rexha e kishte planifikuar vrasjen.

Pas dorëzimit dhe dëshmisë së tij, policia ndaloi edhe shokun e tij Ervis Kurti, i cili të dielën e kaluar po e priste në makinë dhe së bashku u larguan pas krimit në drejtim të Durrësit.

Kurti ka mohuar të ketë pasur dijeni për vrasjen që kishte kryer Rexha. Deri në fund të hetimeve Kurti, që akuzohet për “moskallëzim krimi” do të qëndrojë në arrest shtëpie, ndërsa Rexha në rast se do të gjendet fajtor për vrasje për gjakmarrje, rrezikon dënimin me jo më pak se 30 vjet burgim.

Top Channel