Emisioni Fiks Fare solli sonte rastin e një punonjësi policie i cili shiste armë zjarri luftarake kundrejt 50 mijë lekëve.
Bashkëpunëtorët e Fiksit e filluan investigimin pas një takimi që patën në qytetin e Durrësit me një djalë nga Skrapari. Ky u premtoi se mund t’u siguronte armë kundrejt parave.
Takimet e para për pazarin u bënë në qytetin e Durrësit mes bashkëpunëtores së Fiksit dhe sekserit, i cili futej në këtë punë në mënyrë që edhe ai të nxirrte fitimin e vet.
Ai premton se do gjejë më shumë se një armë, pasi në Skrapar njeh shumë njerëz që e bëjnë këtë gjë, dhe i ka shokë me të cilët bashkëpunon edhe për shitje hashashi edhe për shitje armësh.
Fiksi solli takimin e sekserit me bashkëpunëtoren e emisionit në Skrapar , ku u tha se shitësi ishte punonjës policie. Si rrjedhojë ai nuk pranonte të fliste në telefon apo të takonte blerësin, çdo gjë do të bëhej ndërmjet sekserit.
Ky i fundit kërkoi që të merrte paratë dhe të shkonte ta takonte vetë policin e të merrte armën, por blerësja nuk pranoi. Kështu polici, sekseri dhe bashkëpunëtorja e Fiksit u takuan në pyll rreth 2 km larg qytetit të Çorovodës. Punonjësi i policisë shkoi në pyll me makinën e tij.
Fiksi solli bisedën mes tij dhe bashkëpunëtores, ku i tha kësaj të fundit se kallashnikovi ishte në gjendje shumë të mirë, ishte e re.
Por sërish nuk pranoi që pagesën ta merrte vetë në dorë.Ai kërkoi që parat t’i jepeshin sekserit dhe vetëm pak metra më tutje priti në makinë për të marrë 50 mijë lekëshin të cilin e kishte caktuar si çmim për kallashnikovin.
Gazetarët e Fiksit pasi e morën armën panë se në thesin në të cilën ishte futur ajo ishte e mbështjellë me një këmishë të uniformave blu. Gazetarët e Fiksit e çuan armën në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan ku e dorëzuan kundrejt të gjitha procedurave.
Emisioni Fiks Fare vërtetoi se këtë armë e ka shitur një punonjës policie, inspektor rendi në Komisariatin e Policisë Skrapar, i quajtuar Dritan Nano. Kjo vërtetohet edhe nga makina me të cilën efertivi i policisë shkoi në pyll, që ishte në emër të tij.
Mënjëherë pas denoncimit që Fiks Fare bëri në Policinë Elbasan ,ditën e sotme është arrestuar efektivi i Policisë së Shtetit ,Dritan Nano, në Çorovodë. Ndalimi u bë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier – Berat) për veprën penale “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet proceduriale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Top Channel