Ministri i Anglisë: Britania e Madhe e përkushtuar që ta shohim Kosovën në BE dhe NATO

23/05/2023 16:43

Ministri për Forcat e Armatosura i Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey ka deklaruar se mbeten të përkushtuar për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.

Ai ka theksuar se marrëdhëniet me Kosovën janë të gjata, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar do të zgjasë praninë e saj në KFOR edhe për tri vjet të tjera.

Heappey pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ka sfida sa i përket situatës së sigurisë në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, marrëdhëniet me Kosovën janë të gjatë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin.

“Sapo pata takime fantastike, si me presidenten, ashtu edhe me kryeministrin. Marrëdhënia e Mbretërisë së Bashkuar me vendin tuaj është e gjatë. Ne kemi qenë këtu në fund viteve të 90-ta, në momentin e Pavarësisë suaj, dhe iu kemi mbështetur në çdo hap më pas. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, dhe kjo është arsyeja pse sot, unë jam veçanërisht krenar të njoftoj se Mbretëria e Bashkuar do të zgjasë praninë e saj në KFOR edhe për tre vjet të tjera. Një shenjë se sa të përkushtuar jemi për sigurinë tuaj, sovranitetin tuaj, lirinë tuaj, dhe për t’u siguruar që projekti Kosova të vazhdojë të jetë suksesi i madh që ka qenë për 24 vitet e fundit”, ka thënë ai.

Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Forcat e Armatosura është pyetur edhe për sigurinë në veri të Mitrovicës, për çka tha se kjo mbetet sfidë për vendin.

“Unë mendoj se ka sfida, sigurisht që ka, por ne jemi shumë të qartë në pozicionin në lidhje me sfidat e sigurisë që janë në vendin tuaj. Prezenca jonë në KFOR e nënvizon këtë, por po ashtu edhe mbështetja jonë diplomatike për Kosovën dhe forumin ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për të zgjidhur sfidat e sigurisë që ekzistojnë, dhe për t’u siguruar që ju të vazhdoni të jeni të lirë dhe të sigurt brenda kufijve tuaj”, ka shtuar ai.

Më tej, ministri britanik ka deklaruar se në takimin me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, kanë deklaruar për sfidat e sigurisë në vend dhe rolin e Mbretërisë së Bashkuar në zgjidhjen e tyre.

(“Ishte biseda miqësore, kjo është ajo që bëjnë miqtë. Unë jam takuar me kryeministrin tuaj dy herë në Londër, gjatë viteve të fundit, dhe i premtova se do të vija për vizitë. Më vjen keq që ‘u desh kaq shumë kohë për ta bërë këtë, dhe ky ishte takimi im i parë me presidenten tuaj. Edhe pse ajo ka qenë në Londër në funeralin e Mbretëreshës së ndjerë, dhe kurorëzimin e mbretit, së fundmi. Pra, dialogu mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës është i shpeshtë, është i ngrohtë, dhe është në nivelet më të larta. Ne diskutojmë në përgjithësi, sfidat e sigurisë në vend dhe rolin që mund dhe duhet të luajë Mbretëria e Bashkuar në zgjidhjen e tyre. Dhe pastaj, sigurisht, ambicia afatgjatë e Kosovës, që të jetë edhe anëtare e BE-së dhe NATO-s. Dhe përderisa, natyrisht, të dyja këto organizata kërkojnë një konsensus të gjerë, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar që ta shohë Kosovën në atë rrugë, kur rrethanat ta lejojnë një gjë të tillë”, ka përfunduar ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

Top Channel