Në vitin 2003 u miratua një VKM që dëmshpërblente familjet e viktimave që humbnin jetën jashtë Shqipërisë. Çdo familje merr 70 lekë dëmshpërblim për 1 km për ata që humbin jetën në Europë.

Jashtë Europe pagesa është 1500 USD. Një familje u ankua në emisionin “Fiks Fare” se i afërmi i tyre ka ndërruar jetë në Itali, në dhjetor 2022. Kanë bërë dokumentet dhe i kanë dorëzuar në shkurt 2023. Ata kanë shkuar te Ministria e Financave dhe kanë marrë përgjigje se “s’ka lekë”.

“Kemi një problem se në dhjetor të vitit 2022 na ka ndërruar jetë mamaja në Itali, në qytetin e Torinos. Dhe kur e sollëm në Shqipëri, e kemi sjellë me shpenzimet tona. Morëm një agjenci funerali italiane. Më vonë këtu në Shqipëri morëm vesh që për personat që ndërrojnë jetë jashtë shtetit, shteti shqiptar paguan një pjesë, kompenson, një pjesë të shpenzimeve, të ardhjes në Shqipëri, nga Italia në Shqipëri” thotë denoncuesi.

Ai pohon se është një VKM e vitit 2003 dhe 2004 që kompenson me 70 lekë të rinj për 1 kilometër. “U interesuam, i bëmë të gjitha dokumentet që na u kërkuan, që duheshin, i dorëzuam këto dokumente të gjitha, vajtëm atje pyetëm dhe na thanë që duhet të prisni sepse ka akoma njerëz që kanë ndërruar jetë në maj të vitit 2021 dhe s’i kanë marrë lekët akoma. Problemi është te Ministria e Financave, e nuk ka lekë nuk ka lëvruar fond” thotë denoncuesi.

Ai pohon se kjo ministri ia kalon shumën në llogarinë e familjarëve të të ndjerit. “Kjo është përgjigja nuk ka lekë, sepse janë të muajit maj 2021 që nuk janë paguar. Për atë VKM që vetë shteti shqiptar e ka nxjerrë në vitin 2003. Prandaj iu drejtova emisionit Fiks Fare nëse na ndihmoni për të gjetur një zgjidhje. Sepse nuk është vetëm rasti im, janë shumë shqiptarë që kanë ndërruar jetë në Europë dhe kanë nevojë edhe për ato lekë sepse ishte një shumë e madhe që mezi i kemi rregulluar” pohon qytetari.

Më tej pohon se agjencitë e huaja funerale marrin shumë pagesë, e cila shkon në mbi 5 mijë euro. “Ata janë të vetëdijshëm që s’mund ta lëmë familjarin tonë andej dhe thonë kaq kushton, kaq bënë. Ne e sollëm në rrugë tokësore, nga Italia kaloi disa shtete Kroaci, Mal të Zi doli në Shkodër dhe erdhi në Shqipëri” përfundoi qytetari, familja e të cilit prej të marrë rreth 1 milionë lekë të vjetra kompensim.

Pas kësaj ankese, Fiksi iu drejtua Ministrisë së Financave, e cila duhet të lëvronte fondet për këta familjarë, të cilët presin prej 2 vitesh të marrin kompensimin. “Ne me 10 janar e mbarojmë punën, japim lekët dhe vazhdojnë ata procedojnë. Po mirë 2 milionë lekë të vjetra janë ato, s’ka 2 milionë lekë të vjetra si ministri?!” përgjigjet dhe pyet vetë punonjësi i Ministrisë së Financave. Më pas hesht!

Fiksi interesohet në disa zyra të tjera shtetërore, ku të gjithë punonjësit ia vënë fajin mungesës së fondeve nga Ministria e Financave. “Do të fillojë të paguhet gushti i 2021-shit. Ka shumë vonesa. Jo pak po shumë. Shumë, përgatitu! Vonesat nga Ministria e Financave. Ka filluar të paguhet gushti 2021-shit! Vonesat s’i dimë ne, s’i ndajmë ne lekët. Përgatitu, ka shumë vonesë në pagesa. Për Vitin e Ri, nuk diskutohet” thotë punonjësi.

Të gjithë punonjësit ia atribuuan fajin fondeve të pakta të akorduara. Madje, edhe vetë punonjës të sektorit të financave pranojnë se s’ka para për këto familje! “Po paguhet viti 2021 akoma. Do goxha kohë të dalë. Sepse koha e pagesës është në … dokumentet që kanë ardhur në 2021-shin, në gusht të vitit 2021 po paguhen tani. Afati është të mos kalojë 1 vit nga momenti që është bërë varrimi, deri në dorëzimin (e dokumenteve) këtu. Këtu është ajo pjesa që mund të digjeni. Ti je brenda afatit, je OK-ej po” thotë ajo.

Më tej pohon se supozohej që lekët të merreshin brenda 1 viti, por për shkak të mungesës së fondeve, nuk është se qytetarëve iu digjet si e drejtë. “Sepse ajo nuk është faji juaji, është faji i institucioneve dhe i fondeve që kanë qenë shumë pak, në krahasim me sa ka pasur shpenzime. Nëse ne marrim fonde shtesë në shtator, vazhdon pagesa me radhë. Fillon korrik, gusht, shtator 2021-shi. Mbaron fondi, paguhet deri në dhjetor 2021, sjellin prapë dhe vazhdohet” thotë punonjësja.

Fiksi iu drejtua me një kërkesë zyrtare për Informacion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke qenë se në VKM saktësohet se një nga institucionet që duhet ta zbatojë është pikërisht ky dikaster. Ne e pyetëm se kur do të shpërndahen këto para. Por, sipas kësaj korespondence me e-mail, ministria thotë se ia ka atribuuar një tjetër dikasteri dhe drejtorie këtë kërkesë. Deri më sot, ky institucion nuk na ka kthyer një përgjigje se kur do shpërndahen këto para.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA