Zgjedhjet parlamentare në Greqi/ Exit pollet nxjerrin fitues Mitsotakis! Syriza forcë e dytë, i treti PASOK

21/05/2023 20:52

Në Greqi u zhvilluan sot zgjedhjet parlamentare. Pas mbylljes së qendrave të votimit exit pollet e para i japin fitore Demokracisë së Re së kryeministrit Mitsotakis. Syriza e Cipras del forcë e dytë ndërsa PASOK-u i treti.

Për Top Channel korrespondenti ynë në Greqi,  Aleksandër Marku është shprehur se: “vetëm para 2 minutash kemi rezultatet e para në bazë të 30% numërimit të votave. Ato nuk shkojnë larg exit polleve dhe ajo që ne të gjithë pamë është se kemi një fitore shumë të madhe të Demokracia e Re, të konservatorëve grek, të cilët në bazë të të dhënave të para sigurojnë më shumë vota sesa kanë mundur të marrin në 2019.

Pra, edhe pas 4 viteve udhëheqje ata sigurojnë numrin më të madh të votave me 40% – si gjithmon, bazuar kjo në numërimin e pjesshëm të votave. Kemi një humbje të konsiderueshme, ose katastrofë do të thoja unë, të Sirizas nga aleanca progresiste. Ajo duket se jo vetëm që nuk do të sigurojë nivelet e vitit 2019 me 31.5%, por ka shkuar në 23,5% -27,5% në bazë të exit polleve. Dhe në bazë të numërimit zyrtar të 30% të votave shkon në 20 – 22%. Sipas exit polleve, në parlamentin grek deri më tani hyjnë 8 parti. Ndërsa në bazë të rezultateve zyrtare të 30% të numërimit të votave kemi 5 partitë e para që hyjnë në parlamentin grek.

Gjithsesi, duhet thënë që kemi një rritje të votave të grumbulluara nga socialistët grek, të cilët në vitin 2019 nuk kishin rezultate të kënaqëshme. Tania ta figurojnë tek shifra 10- 13% dhe janë forca e tretë politike në vend. Këtë e theksoj sepse nesër kur Demokracia e Re të marrë mandatin për të krijuar qeverinë, mund të ftojë sipas ligjit socialistët e Pasok nga “Lëvizja për Ndryshim” për të formuar qeverinë sepse iu duhet të përmbushin kuotën e  mbi 46%.

Gjithsesi, të gjitha partitë e reja, duke përfshirë edhe socialistët e Pasok-ut kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me Demokracinë e Re, kështu që pritet që pas 9 ditësh që përfundojnë edhe shkëmbimet e mandative, Greqia të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, mundësisht në 2 korrik, pas krijimit të një qeverie teknike e cila do të udhëheq vendin deri në zgjedhjet e reja parlamentare.”

Rezultatet e para sipas Exit Polleve:

Demokracia e Re  nga 37,5% – 41,5%

Syriza  nga 23,5% -27,5%

Pasok Lëvizja për Ndryshim 11,5% -12,5%

ΚΚΕ 6,5% – 7,5%

Zgjidhja Greke 4,3% – 5,3%

MeRA 25 2,5% – 3,5%

Lundrimi i Lirisë 2,5%-3,5%

Fitorja 2,5% – 3,5%

Top Channel