Ekzekutohet me plumb në kokë Arjan Gosa. Vrasja ka ndodhur në një lokal pranë shkollës 9-vjeçare “Rilindja”, në Kavajë.

Arjani ishte kthyer nga Italia pas vrasjes së të vëllait Armand Gosa dhe nuk është larguar më deri në mbrëmjen e sotme kur u vra gjatë një atentati të mirorganizuar. Gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi raporton se viktima ishte duke pirë kafe me të atin, në momentin kur një person ende i pa identifikuar u fut lokal dhe e qëlloi me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen.

Pista kryesore është ajo e hakmarrjes për vrasjen e dyfishtë të fundmarsit, ku mbeti i vrarë vëllai i viktimës dhe Altin Rexha. Por kjo nuk është ngjarja e vetme kriminale ku kanë qenë të përfshirë vëllezërit Gosa.

10 vite më parë, në nëntor të 2012-ës, në lagjen nr.2 në Kavajë, vëllezërit Arjan Gosa dhe Armand apo Edmond Gosa, pas një grindjeje banale që Arjani kishte patur një ditë më parë me Gentian Gjuzin, janë përplasur me të në momentin kur Gjuzi po dilte nga një dyqan, duke e plagosur rëndë me mjet prerës.

Viktima Gentjan Gjuzi humbi jetën pak muaj më vonë në spitalin e neurokirurgjisë. Sherri në atë kohë lindi për një shikim dhe solli për pasojë vdekjen e babait të dy fëmijëve, 41-vjeçarit Mentor alias Gentjan Gjuzi. Ngjarja u mor përsipër nga Armand Gjuzi që u dënua nga gjykata e Kavajës me 2 vite burg, ndërsa Gjuzi i goditur me kazëm në kokë vdiq disa muaj më pas në spital.

Nga hetimet paraprake rezulton se autori u largua nga lokali në këmbë, ndërsa një automjet e priste pak më tutje vendit të ngjarjes. Dyshohet se pas vrasjes ata u nisën drejt Rrogozhinës.

Policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve. Policia ka konfirmuar paraprakisht se pista kryesore është ajo e hakmarrjes dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Në vendngjarje ka mbërritur edhe drejtuesi i policisë kriminale. Pista kryesore është vrasja e Gentian Gjuzit”- tha për studion e lajmeve gazetarja Qyrfyçi.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

Top Channel