7 shqiptarë në zgjedhjet greke/ Flasin për Top Channel kandidatët në partitë e majta, PASOK, Syriza, komunistët dhe Mera 25

19/05/2023 19:54

Ata janë thuajse të gjithë të rinj, të diplomuar dhe madje me studime pasuniversitare brenda dhe jashtë Greqisë.

Pjesë e politikës greke tashmë, me karakteristikë kryesore se u përkasin vetëm partive të majta.

Janë shtatë emigrantë shqiptarë dhe një minoritar nga Dropoulli që marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 21 majit në Greqi.

“Ka të paktën tre arsye përse qytetarët e periferisë së dytë të Selanikut, ku kandidoj unë, duhet të votojnë për Syriza: mbështetja e të rinjve, konsolidimi i demokracisë në vend dhe rritja e standardit të nivelit të jetesës”, thotë Makrina Viola Kosti, kandidate në Selanik B me “Syriza-n”.

Makrina Viola Kosti nga Selaniku është një prej katër kandidatëve që garojnë me partinë më të madhe opozitare Syriza, Angjelos Jahollari kandidon në Evia , minoritari Nikos Gjergos në jug të Athinës, ndërsa Antiljan Koxhaj në Pire.

“Populli grek voton për qeverinë e re. Të gjithë që kanë të drejtën e votës, të votojnë. Për demokracinë dhe për shanse të barabarta”, shprehet për Top Channel Antiljan Koxhaj, kandidat në Pire B me “Syriza-n”.

Dy prej kandidatëve Fatos Malaj dhe Niko Bilika garojnë për socialistët, njëri në Athinë dhe tjetri në Selanik.

“Jam kandidati më i vogël në Greqi, ja 25 vjeç. U futa për të luftuar për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi”, thotë Niko Bilika kandidat në Selanik A me PASOK- KINAL.

Sidorela Kalthi garon për Partinë Komuniste Greke në Kretë ,ndërsa Paty Vardhami kërkon votën në Athinë me nismën “MeRA 25”.

Përveç sfidës së përballjes me problemet e emigracionit apo të pensioneve, ata kërkojnë në mënyrë aktive në këto zgjedhje, zgjidhjen e problemeve të ndryshme të shoqërisë greke, në bazë të programeve të partive të tyre.

Top Channel