Vokalisti legjendar i grupit ‘The Police’, ka thënë së fundmi se raca njerëzore është në luftë për mbrojtjen e kapitalit njerëzor në muzikë dhe fusha të tjera, përballë teknologjisë që tashmë mund të krijojë gjithçka nga hiçi.
71 vjeçari Sting thotë se muzikantët duhet të përballen me rritjen e frikshme të inteligjencës artificiale, teksa ndante shqetësimin e tij për zëvendësimin të njerëzve me makineritë.
“Mjetet teknologjike muzikore po ndihmojnë artistët të krijojnë albume artistike, të shkruajnë këngë të reja apo të ndërtojnë videoklipe dhe përmbajtje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale”, sipas rrjetit Ditto Music.
Sting tha më tej: “Baza ndërtuese e muzikës na përket ne, qenieve njerëzore. Prandaj do të jetë një beteje e vërtetë në vitet në vijim, një betejë për mbrojtjen e kapitalit njerëzor kundër Inteligjencës artificiale”.
“Mjetet mund të jenë të nevojshme, por ato duhet t’i drejtojmë ne”, tha Sting.
“Ne nuk mund të lejojmë që makineritë të marrin kontrollin, duhet të jemi shumë të vëmendshem.”
Ai shtoi se mendonte në të njëjtën mënyrë për këngët e gjeneruara nga inteligjenca artificiale ashtu dhe filmat me imazheri të rreme.
“Kjo mua nuk më impresionon,” thotë më tej Sting. “Mërzitem menjëherë kur shikoj një imazh të gjeneruar me kompjuter, prandaj dhe ndjehem kështu për muzikën e krijuar me kompjuter, apo aspekte të tjera të jetës ku mund të arrijë kjo teknologji”.
“Kjo ndoshta mund të funksionojë me muzikën ‘dance’ por jo për këngët ku duhet të shprehësh emocion, nuk mendoj se ndonjë do të emocionohet nga kjo”.
Komentet e Sting vijnë para çmimit që pritet të marrë kantautori Ivor Novello i njohur për përdorimin e teknologjisë, teksa shumë artistë të tjerë kanë parë sesi prodhohen kopje të krijimeve të tyre me mjete të tilla.
Top Channel