Një skulpturë e re i shtohet shëtitores së Durrësit, simbolika e “Rrënjët” lidhet me qytetin

12/05/2023 14:09

Një skulpturë e re urbane i është shtuar shëtitores bregdetare “Taulantia” në Durrës.  

E titulluar “Rrënjët” skulptura e derdhur në bronz është realizuar nga skulptori Adrian Dule dhe, sipas bashkisë së Durrësit, është një dhuratë e autorit për qytetin e Durrësit.

Sipas skulptorit, vepra është simbol i rrënjëve që zgjaten nga toka në det ashtu si dhe vetë qyteti është i lidhur përjetësisht me detin.

Simbolika e kësaj skulpture veç të tjerash identifikon edhe lidhjen e bashkëatdhetarëve tanë me vendin e tyre, ndaj kjo vepër e artit urban është vendosur në afërsi të monumentit përkujtimor të eksodit të vitit 1991, ku mijëra shqiptarë emigruan jashtë atdheut, por duke qëndruar të lidhur fort me rrënjët e tyre në Shqipëri.

Në funksion të saj, pak kohë më parë, u hoq dhe kompleksi i këngëtarëve të huaj që ndodhej në këtë hapësirë dhe ishte kthyer në një pikë tërheqëse për vizitorët dhe banorët e Durrësit. Skulptura e re ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të cilët në rrjetet sociale i kanë veshur dhe kuptime të ndryshme, bazuar në perceptimet personale rreth saj. Skulptura u përurua ditën e sotme në prani dhe të autorit të saj.

Top Channel