Me një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike, Durrësi antik është shpesh qytet i humbur edhe për banorët e tij.

Ndonëse një pjesë e mirë e tij ndodhet nëntokë, sot, qyteti ruan plot gjurmë të historisë, që nga antikiteti, mesjeta dhe periudhat më të vona, po pak banorë të Durrësit i njohin vlerat arkeologjike dhe historike të qytetit ku jetojnë. Këtë fillim muaji, një qendër e gjuhëve të huaja organizoi një tur falas për qytetarë të grupmoshave të ndryshme, përfshirë edhe shtetas italianë që jetojnë në Durrës.

“Dyrrachium njihet si një nga qytetet më të rëndësishme të antikitetit, jo vetëm nga themelimi i kolonisë nga Epidamnos, jo vetëm nga lufta mes Çezarit dhe Pompeut, jo vetëm nga lufta e Peloponezit, por ka qenë një nga qendrat kulturore të antikitetit. Mendohet që pasuria shekullore që ka qyteti në kontekstin arkeologjik është e jashtëzakonshme. Dyrrachium, Durrësi njihet shumë dhe në Itali, prandaj kemi dhe ekipe italiane që gërrmojnë këtu në Durrës sidomos tek amfiteatri”, thotë arkeologu Jani Koçillari.

I kthyer nga Italia, arkeologu Jani Koçillari udhëhoqi banorët e rinj dhe të vjetër të Durrësit të sotëm nëpër një itinerar historiko-urban pak të njohur prej tyre.

“Turi m’u duk i bukur. Mësova për disa destinacione të qytetit që i kisha parë vetëm nga larg. U kënaqa shumë dhe shpresoj për ture të tjera sa më të bukura“, shprehet një gjimnazist.

“U kënaqa shumë me këtë turin. Në Durrës jetojmë po nuk i kemi parë me kaq vëmendje, kërshëri këto që pamë sot. Shpjegimi i profesorit kishte shumë përfitime. Djalit iu duk vetja si Indiana Jones”, thotë një banore e Durrësit.

Pjesë e komunitetit italian që jeton në Durrës është dhe Madalena, e cila iu bashkua turit kulturor e historik së bashku me vajzën e saj. Ajo sugjeron që, ashtu si në Itali, Forumi Bizantin dhe monumente të tjera të trashëgimisë kulturore të gjallërohen, duke sjellë përmes rrëfimit dhe veshjeve të kohës frymën e epokës së cilës ato i përkasin.

“Një tur interesant. Vizituam vende historike “të fshehura” të Durrësit antik. Është kënaqësi të zbuloj kaq shumë rezonancë dhe ngjashmëri me qytetin tim të lindjes në Pulja. Prej 6 vitesh jam banore e Durrësit dhe dua që dhe vajza ime ta njohë historinë e qytetit ku rritet. Arkeologjia dhe historia janë e ardhmja. Është e rëndësishme të dimë c’kemi qenë për të kuptuar c’duam të jemi”, tregon gazetarja italiane Maddalena Malcangio.

Ture të kësaj natyre janë një mundësi e mirë për të zbuluar jo vetëm Durrësin e lashtë, por dhe identitetin kulturor të banorëve, duke nxitur edhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe kontribuar në zhvillimin e ekonomisë lokale përmes turizmit.

“Duhet të promovohet më shumë dhe të ketë më shumë bashkëpunim me universitetet shqiptare. Me degët e arkeologjisë, historisë dhe turizmit ndikon në promovimin e qytetit. E rëndësishme është që dhe qytetarët të kuptojnë vlerat historiko-kulturore që ka qyteti se sjellin turizëm, krijojnë zhvillim ekonomik”, thotë arkeologu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA