Dita e Fitores, Putin: Bota në pikën e kthesës, kërkohet rënia e Rusisë

09/05/2023 09:45

Sheshi i Kuq i Moskës u mbush me njerëz në atë që njihet si Dita e Fitores në Rusi, të kremtuar me një paradë ushtarake madhështore, e një përpjekje të Kremlinit për të shpalosur fuqinë ushtarake të vendit, e cila këtë herë kontraston me fushatën e diskutueshme të tij në vijat e frontit në Ukrainë.

Presidenti Vladimir Putin e përdori fjalimin e rastit për të treguar sesi një “luftë e vërtetë” po zhvillohet sërish kundër vendit të tij, ndërsa akuzoi elitat perëndimore për “mbjellje të urrejtjes dhe të rusofobisë”.

Civilizimi është sërish në një pikë kthese vendimtare. Qëllimi i tyre nuk është gjë tjetër, veçse të shohin rënien e vendit tone. Rusia është duke mbrojtur sovranitetin e saj, ndërsa Perëndimi po harron se kush e mposhti nazizmin. Ne kemi zmbrapsur terrorizmin ndërkombëtar, do t’i mbrojmë banorët e Donbasit dhe do të garantojmë sigurinë tonë”, u shpreh Putin.

Edhe një herë, kreu i shtetit rus e krahasoi qeverinë  e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës me nazistët e mundur gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa doli me pretendimin se Moska dëshiron një të ardhme paqësore, pavarësisht agresionit të saj ndaj vendit fqinj, të nisur 24 shkurtin e vitit të kaluar.

Nëntë Maji i njohur në Rusi njihet si Dita e Fitores, kujton gjunjëzimin e Gjermanisë naziste më 1945. Gjatë paradës ushtarake në Sheshin e Kuq, të pranishëm ishin edhe udhëheqës të ish-shteteve sovjetike, përfshirë Kazakistanin, Uzbekistanin, Taxhikistanin, Kirgizinë, Bjellorusinë dhe Armeninë. Këto vende kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik në kohën e Luftës së Dytë Botërore, por kanë shpallur pavarësinë e tyre pasi blloku sovjetik, i dominuar nga Rusia, u shpërbë në vitin 1991.

Top Channel