Dronët rusë sulmojnë Kievin, 5 të plagosur/ Zelensky: Do të mposhten si Gjermania Naziste

08/05/2023 15:55

Rusia ndërmori mëngjesin e sotëm një seri sulmesh me dronë ndaj kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, të cilit ia kishte kursyer deri përpara disa kohësh goditjet e saj, por që prej 8 ditësh e ka rikthyer në shënjestrën e saj.

Ky ishte sulmi i katërt i Moskës mbi Kievin brenda një jave. Ai erdhi 24 orë përpara se Rusia të kremtojë Ditën e saj të Fitores mbi nazizmin. Pikërisht kësaj të fundit iu referua presidenti ukrainas Volodymir Zelensky, i cili u zotua se forcat ruse do të mposhten në vendin e tij, ashtu sikurse u mposht Gjermania Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Zelensky tha se ka dërguar një projektligj në Parlament për të shënuar zyrtarisht në Ukrainë më 8 maj ditën e fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe për festimin e Ditës së Europës më 9 maj, duke distancuar edhe më tej shtetin e tij nga Moska. Ai tha se Kremlini është përgjegjës “për agresion dhe aneksim, pushtim dhe dëbim”, por edhe për “vrasje në masë dhe torture.

“E gjithë ligësia e së shkuarës, që po risillet nga Rusia moderne do të mposhtet, ashtu sic u mposht nazizmi. Në të njëjtën mënyrë siç e mundëm së bashku ligësinë atëherë, po ashtu bashkë do ta mposhtim këtë ligësi të ngjashme”.

5 persona mbetën të plagosur nga pjesët e dronëve të rrëzuar në Kievi, sikurse pohoi kryebashkiaku Vitali Klitschko. Shpërthime pati edhe në Kharkiv, Kherson, Odesa e Mykolaiv. Më herët, autoritetet ukrainase kishin njoftuar se arritën të pengonin 35 sulme me dronë të lëshuar nga Rusia pas intensifikimit të sulmeve ajrore ruse ndaj disa qyteteve të vendit.

Top Channel