Edhe pse tregtia botërore ka hyrë në një fazë të re stabiltieti, në vendin tonë çmimet e ushqimeve të shportës për konsumatorët e përditshëm vijojnë të jenë të larta.

Vaji i lulediellit dhe mielli ishin dy produktet që pësuan rritjen më të fortë gjatë 2022-it, ku për të gatuar shqiptarët paguan dyfish më shumë, ndërsa për bukën shtrenjtimi arriti deri në 40%.

Ndërsa viti 2023 ka reflektuar uljen e produkteve energjetike, produktet e shportës, për të cilat u krijua edhe bordi i rregullimit të çmimeve vijojnë të jenë të kushtueshme.

Sipas pikave të shumicës mielli vazhdon të jetë 25% më i shtrenjtë se në 2021-in, sheqeri 40% më shtrenjtë ndërsa për makaronat shtrenjtimi arrin në 35%. Ekspertët vlerësojnë se për këto produkte kontrolli duhet të jetë i rreptë nga autoritetet.

“Nënçmimi i euros dhe ulja e çmimit të këtyre produkteve nuk ka reflektuar në uljen e vërtet të çmimeve të tregut për këto produkte por ka ndikuar në rritjen e marzhit të fitimit të tregtarëve që normalisht është abuzive por mendojë që do të ishte mirë që autoriteti konkurrencës të hetonte me qëllim që në raste të tilla të mbrojë konsumatorin shqiptar”, shpjegon ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Sipas statistikave të INSTAT, grupi i ushqimeve u rrit me 3,4% në muajin prill, ndërsa nëngrupi grupi i drithërave pësoi rritje me 5%. Koston më të madhe në tryezën e familjeve shqiptare vijon ta ketë veza, qumështi dhe djathi me rritje 15%, ndërsa në fillimvit rritja për këtë kategori ishte deri në 28%.

Top Channel