Vrau Petrit Vuksanin, arrestohet pas 21 orësh ndjekje autori! Sekuestrohet automatiku me të cilin kreu krimin

03/05/2023 10:01

Është arrestuar pas 21 orësh ndjekje nga policia, Lekë Vuksanit, 34- vjeçari i dyshuar si vrasësi i Petrit Vuksanit mesditën e djeshme në Shkodër.

34-vjeçari u ishte strehuar në banesën e një shtetaseje, në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, pasi kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese për t’i hapur derën dhe për të mos e kallëzuar në polici.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik, me të cilën dyshohet se 34-vjeçari vrau Petrit Vuksanin.

51-vjeçari mbeti i vrarë me armë zjarri mesditën e së martës, në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi në lagjen “Skenderbeg” dhe viktima ishte i vetëm në shtëpi kur autori i dyshuar, Leke Vuksani, është futur në banesë dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur.

Shkaku i ngjarjes mes dy personave nga Dukagjini, me të njëjtin mbiemër por që nuk kanë lidhje familjare, dyshohet se është një konflikt për paratë e qerasë së banesës.

Petrit Vuksani, jetonte mes Italisë dhe Shqipërisë, dhe prej një muaji ishte kthyer në vendlindjen e tij. Banesën në lagjen “Skenderbeg” ia kishte lëshuar me qira, personit që dyshohet se i mori jetën, Lekë Vuksanit.

Ai i ka kërkuar autorit paratë e qirasë së disa muajve, dhe tja lirojë banesën, por ky i fundit ka debatuar me të.

Pas konfliktit të vazhdueshëm, Lekë Vuksani është larguar nga shtëpia, duke u rikthyer me një arme zjarri. Autori i dyshuar është futur në banese dhe e ka gjetur të vetëm qiradhënësin, duke e qëlluar për vdekje.

Policia thotë se grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

“Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së kryer mesditën e djeshme, në lagjen “Tom Kola”. Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se u krye vrasja.

34-vjeçari u lokalizua në një banesë në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, ku ishte strehuar pasi kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese. Strukturat operacionale të DVP Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, pasi 21 orësh, si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së pandërprerë policore, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër.

34-vjeçari u lokalizua në banesën e një shtetaseje, në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, banesë në të cilën kishte mundur të strehohej pasi gjatë natës kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese për t’i hapur derën dhe për të mos kallëzuar.

Gjithashtu, në të njëjtën banesë, u gjet edhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu vrasjen. Shtetasi L. V. dyshohet se rreth orës 12:15, të ditës së djeshme, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.”- njofton policia.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel