Liria e gazetarëve cenohet lehtësisht edhe nga rojet e sigurisë, të urdhëruar për t’i mbajtur larg gazetarët.

“Jo këtu, largohu atje. Leje për të qëndruar në shkallët e universitetit, në hapësirë publike?”, tha roja.

Ndër vite e drejta për informim është vënë në rrezik nga industria e lajmeve të rreme si dhe propaganda. Indeksi botëror i lirisë së shtypit në 180 vende të botës i realizuar nga reporterët pa kufij nxjerr në pah një përmirësim të Shqipërisë, por kjo vjen më së shumti për shkak të përkeqësimit të lirisë së shtypit në vende të tjera të botës.

Treguesi më i fortë i gjendjes jo të mirë mediatike në Shqipëri është edhe sulmi më i fundit, më i rëndë i ndodhur ndaj medias, ndaj godinës së Top Channel më 27 mars.

Një ngjarje kriminale që edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj ende nuk dihen autorët, e qëndron në sirtarët e Policisë e pazbardhur”

“Ka një përmirësim të lehtë por sërish jemi në vendin e 96 në botë. Mos harrojmë që 2023 nisi më një sulm ndaj Top Channel. Kjo tregon se situata mediatike  është e nderë , ku kemi  humbjen e një punonjësi , që tregon se forcat e errëta duan të kthejnë mbrapa shoqërinë e të kenë peng ekonominë, sepse liria e shtypit jo vetëm është garantor i demokracisë por edhe i mirëqenies”, tha Blendi Salaj.

Së bashku me Kosovën, raporti ndërkombëtar e rendit Shqipërinë në mesin e shteteve problematike në lidhje me lirinë e shtypit. Aty theksohet edhe sulmi me kallashnikov ndaj Top Channel, ku krimi i organizuar konsiderohet si një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e gazetarëve dhe kryerjen e misionit të tyre.

 “Është një shprehje që të thuash të vërtetën në kohë të vështira është revolucion”, tha Salaj.

Për Blendi Salajn ka pasur një rregullim të cilësisë në formë të shtypit, me mjete më të zhvilluara teknologjie, si dhe një përpjekje e gazetarëve të rinj për të rritur besimin e shoqërisë ndaj medias, por ajo që ka mbetur në vend sipas tij janë emisionet politike, që në përmbajtje kanë gjuhë agresive dhe jo zgjidhje problematikash.

“Duhet më shumë media me guxim,  më shumë hulumtim, sesa media të studiove”, tha ai.

Top Channel