Qeveria ka marrë angazhimin e radhës në luftën kundër evazionit dhe informalitetit në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës.

Nëpërmjet një VKM-je, Ministria e Infrastrukturës do te ngrejë një sistem të informatizuar në e-Albania, që do të jetë referencë për preventivët e punimeve të çdo kompanie që dëshiron të hyjë në gara publike për tenderë.

Sistemi do të funksionojë në bazë të vetëdeklarimit për bizneset, që duhet të raportojnë çmimet dhe preventivët e punimeve të tyre. Ekspertet shpjegojnë si do ndikoje mekanizmi në rregullimin dhe formalizimin e tregut.

 “Do të thotë se ai që del në treg si biznes përpara se të fillojë aktivitetin e tij duhet të shkojë te kjo zyrë e shtetit dhe të bëjë të gjitha verifikimet që kërkohen sipas këtij standardi, të deklarohet dhe të hyjë në sistem. E dyta, nisma standardizon dhe krijon një gjuhë të përbashkët llogaritje. Kjo sjell atë që kur bëhet një tender, projektuesit dhe preventivuesit tani do të kenë mundësinë që të përzgjedhin çdo gjë që ata mendojnë të vlefshme për projektin në mënyrë të ligjshme. Unë e konsideroj një sfidë për qeverinë, pasi e tentoi ta bënte qeveria Berisha në 2007-ën dhe dështoi”, tha Gëzim Beqaj, inxhinier ndërtimi.

Gjithashtu manuali kombëtar i çmimeve pritet t’i japë fund edhe abuzimeve me pagat e punonjësve

 “Nëse ne respektojmë atë që ligji thotë, pra minimumin e pagës, një kompani që hyn në një garë dhe dërgon një preventiv, nëse nuk respekton pagat e punonjësve atëherë sistemit e përjashton automatikisht sepse ke parashikuar fond page më pak se nga ai që unë të njoh si ligj. Do lehtësojë shumë punën e sistemit fiskal, pasi prandaj është edhe vetëdeklarimi. Në çdo faturë që do raportojnë kompanitë e ndërtimit do jetë e mundur që në moment të dalin detyrimet. Nëse ti si shtet i thua se do ti paguash këto detyrime, sepse e ke planifikuar diçka të tillë, ai nuk është më i interesuar t’i mbajë punëtorët në të zezë”, tha Beqaj.

Informacioni për kostot që do të vijë nga subjektet do të ndahet  katër elemente në shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagën; shpenzimet për materialet; shpenzimet për transportin;  shpenzimet për makineritë.

Top Channel