Profesionistë të policive europiane së bashku me drejtuesit më të lartë të policisë shqiptare u bënë bashkë në konferencën e 43 të policive të kryeqyteteve europiane ku për 3 ditë do të diskutohen çështje të rëndësishme për sigurinë dhe rendin.

Sipas ministrit të brendshëm Bledar Çuçi Shqipëria ka kontribut real në sigurinë e Europës.

Çuçi: “Shqipëria është sot një vend që kontribuon në sigurinë e Europës edhe merr pjesë aktive në operacione të përbashkëta policore dhe në adresimin e sfidave të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, rendit e sigurisë publike.”

Në kohën kur krimi gjithnjë e më tepër nuk njeh kombësi dhe bashkëpunon mes vendeve të ndryshme duke funksionuar i koordinuar lind nevoja e domosdoshme për tu bërë bashkë kundër krimit të organizuar dhe për të forcuar bashkëpunimin.

Rrumbullaku: “Krimi është sot më shumë se kurrë, pa shtetësi, pa një trajtë të caktuar, dhe e vetmja rrugë si mund të parakalojmë në këtë trajektore plot pengesa, është bashkëpunimi, koordinimi dhe unifikimi i hetimeve dhe aksioneve të përbashkëta policore.

Tjetër temë diskutimi që do të shtrohet në këtë konferencë është krimi kibernetik dhe sfidat për ti zbuluar ato ku policia shqiptare do të japë eksperiencën e saj me 2 sulmet kibernetike te ndodhura vitin e kaluar ndaj platformws “eAlbania” dhe sistemeve të policisë.

Me vlerë është dhe diskutimi për garantimin e rendit dhe sigurisë në ngjarjet sportive dhe kulturore ku policia e Tiranës dhe e shtetit vijnë nga një eksperiencë e mirë në monitorimin e finales së “Konferencë Ligë” që u mbajt në Tiranë.

Në mbyllje të konferencës krerët e policive do të firmosin një deklaratë të përbashkët dhe do të votojnë se në cilin vend do të zhvillohet konferenca e radhës që pritet do të mbahet në 2025.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel