Biznesmeni Ardian Nikulaj është vrarë sot në biznesin e tij afër pedonales së Shëngjinit rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta.

Burime bëjnë me dije se 51-vjeçari ka qenë i vetëm në lokalin e tij “Coral” dhe dyshohet se atentatorët kanë shkuar me motor, kanë qëlluar dhe më pas janë larguar.

Autori ka hyrë me skafandër motori në kokë brenda lokalit i veshur me jelek fosforeshent dhe e ka qëlluar dy herë  me pistoletë dhe është larguar me motor.

Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit apo autorëve.

Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak.

Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.

Konkretisht në vitin 2003 ai është dënuar me katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.

Qarku i Lezhës ka precedentë në krime që prekin personazhe të përfshira në procesin zgjedhor. Qershorin e vitit 2013 si pasojë e të shtënave nga armët e zjarrit, mbeti i vdekur në vend 49-vjeçari Gjon Gjoni, i cilësuar si simpatizant i LSI.

Në këtë breshëri armësh mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, kandidati i PD-së, Mhill Fufi njëkohësisht edhe nënkryetar i qarkut si dhe i afërmi i tij Kastriot Fufi.

Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.

FOTO GALERI
2/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA