Dyer të shkatërruara, mure të çara dhe ashensori jashtë funksionit.

Kjo është ajo që la pas aktivizimi i një sasie lënde plasëse në banesën e Muhamet Dukës në zonën e Freskut në kryeqytet.

Apartamenti në pragun e të cilit ishte vendosur eksplozivi prej 4 vitesh nuk banonte njeri çka e shtyn policinë të besojë se kemi të bëjmë me një sinjal apo mesazh ndaj familjes Duka, dy djemtë e të cilës Leonard dhe Erlis Duka konsiderohen me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe që drejtojnë një grup kriminal.

Ata prej vitesh janë në kërkim për vrasjen e ish policit Santiago Malko, ndërsa njihen edhe për rivalitetin me të shpallurin në kërkim nga spak Ervis Martinaj. Leonard Duka u arrestua në Bruksel dy muaj më parë ndërsa I vëllai vijon në kërkim.

Por siç fatkeqësisht ndodh në përplasjet mes grupeve kriminale të dëmtuar mbeten të pafajshmit. Banesa e një çifti bashkëshortësh fqinj me Muhamet Dukën pësoi dëme të konsiderueshme nga shpërthimi ndërsa të moshuarit u tronditën dhe përfunduan në spital.

“Plasi dinamiti në derë të shtëpisë e shkatërroi derën nuk bën më. Shpërtheu në 3 të natës u mbush dhoma me tym. Kam 13 vite që banjo këtu. Jam komshi me Muhamedin, ç’faj kam unë për hallet që kanë djemtë e Muhametit me shtetin a me të tjerë”, tha fqinji.

“Shteti të na japë siguri se dy pleq desh vdiqëm në shtëpinë tonë, desh na vranë”, tha fqinja.

Policia po punon me pamjet e kamerave të sigurisë si edhe provat material në vendin e ngjarjes për identifikimin e autorit apo porositësit të kësaj ngjarje.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel