Dy fëmijë në Prishtinë kanë pësuar lëndime dhe djegie pasi kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike në shkollën “Faik Konica”.
Fëmijët rreth moshës 15 vjeç, ishin duke luajtur në oborrin e shkollës dhe janë dërguar në emergjencën e QKUK-së, rreth orës 11, ku mjeku kujdestar thotë se gjendja e njërit prej fëmijëve është e rëndë për shkak se djegiet që ka marrë janë të shkallës së tretë dhe po operohet.
Ndërsa fëmija tjetër ka djegie të shkallës së dytë dhe është transferuar në Kirurgjinë Plastike.
“Gjendja e tyre është stabile edhe përkundër që kanë djegie. Kanë djegie të shkallës 2A 2B dhe në disa regjione kanë edhe djegie edhe të shkallës së tretë. Djegia me rrymë shkakton djegie të rëndë. Njëri prej tyre është më lehtë, në shuplakën e djathtë e ka një djegie të shkallës së dytë dhe është përpunuar plaga dhe është transferuar në Kirurgjinë Plastile. Tjetri i vitit 2008, janë sjellë të dytë me autoambulancë rreth orës 11 dhe ka djegie shumë serioze në disa regjione në dy shuplakat, në regjionin femural në të dy anët, ka shkaktuar vdekje të indit dhe djegie në sipërfaqe të anës së djathtë të shpinës dhe më poshtë se gjuri. Ky pacient është transferuar në sallën e operacionit dhe është referuar të transferohet në mjekim intensiv, gjendja është serioze”, tha mjeku Ejup Govori.
Ndërkohë, familjarët kanë treguar për rastin pas bisedave që kanë pas me fëmijët.
“Është jashtë rrezikut fëmija, fola me të. Thotë kam tentuar të nxjerr shokun, kam dëgjuar britmën dhe kam tentuar ta ndihmoj dhe jam lënduar edhe vetë”, tha ai.
Nxënësit ishin në oborrin e shkollës dhe deri më tani mësohet se kanë pasur kontakt direkt me kabllot e ekspozuara nga transormatori që gjendet brenda oborrit të shkollës fillore Faik Konica në kryeqytet.
Top Channel