Parlamenti Europian i dha dritën jeshile vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e me këtë lëvizje, mbyllen dhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.
Miratimi u bë pa votim, duke qenë se asnjë nga ligjvënësit në sallë nuk kishin kundërshtim. Të mërkurën do të nënshkruhet akti ligjor, e pas kësaj, hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Fletoren zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
Këshilli i ministrave të BE-së e dha OK-in e tij muajin e kaluar. Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024. Çështja e liberalizimit të vizave të Kosovës u lidh me hyrjen në fuqi të sistemit të udhëtimit në Europë, Etias.
Duke qenë se afati i tij për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm. Një shumicë e madhe eurodeputetesh e mbështesin heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Parlamenti Europian ka qenë në fakt institucioni i BE-së, që e ka mbështetur më fort lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimisht e ka kritikuar Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian për vonesa të panevojshme në këtë proces.
Akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet në nënshkruhet nga presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, dhe ministrja për Evropën e Suedisë, Jessika Rosëall, vendi i së cilës kryeson aktualisht Këshillin e BE-së. Në ceremoninë e nënshkrimit janë ftuar të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 27 shtetesh europiane. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e bën dot një gjë të tillë.
Top Channel