Të hënën para trupit gjykues pranë Dhomave të Specializuara ka dalë dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga dëshmia e tij u zbulua se dëshmitari në vitet e luftës ishte pjesëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në komunën e Malishevës e më pas është kyçur në UÇK.
Atij është kërkuar të kujtojë fjalimin nga dalja publike e UÇK-së, për çka tha se më vonë ka identifikuar personat që lexuan fjalimin ku u bëhej thirre shqiptarëve të Kosovës t’i bashkoheshin luftës e që janë Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj.
Sipas dëshmitarit, fjalimi i Rexhep Selimit ishte më i ashpër krahasuar me dy të tjerët.
Tutje, dëshmitari është pyetur për këtë fjalim të ashpër dhe lidhjen që mund të kishte me LDK-në.
Ai ka thënë se Malisheva pothuajse tërësisht kontrollohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ka folur edhe mbi përvojën e tij si ushtarë i UÇK-së dhe LDK-së njëkohësisht.
Seanca pastaj ka kaluar në të mbyllur për pyetjet e tjera. Për këtë dëshmitar Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.
Top Channel