Një australian ka vendosur një rekord të ri botëror për pompa, duke plotësuar më shumë se 3206 në vetëm një orë – që është 53 çdo minutë, ose pothuajse një në sekondë.
Lucas Helmke e realizoi rekordin me pompa në palestrën e tij lokale në Brisbane, në nëntor të vitit të kaluar dhe së fundmi u informua nga Guinness World Records se rekordi i tij ishte miratuar, duke marrë titullin e vendosur nga një tjetër australian, Daniel Scali, i cili bëri 3,182 pompa – është hera e katërt që vendoset një rekord i ri për këtë sukses në tre vjet.
Duke postuar certifikatën në Facebook-un e tij muajin e kaluar, ai shkroi: “Kjo më në fund ndodhi”.
Një kontabilist me profesion, babai 33-vjeçar i tha librit të rekordeve Guinness se donte të “frymëzonte” djalin e tij njëvjeçar duke i treguar atij se “asgjë nuk është e pamundur”.
Çdo pompë lart duhej të ishte e përsosur për të përmbushur standardet e kërkuara për një rekord zyrtar botëror.
Helmke-s iu kërkua ta mbante trupin drejt, pa i përkulur gjunjët dhe belin, ndërsa arrinte të paktën një kënd prej 90 gradë në bërryl kur u ulej.
Ai tha se iu deshën dy deri në tre vjet për të ndërtuar forcën fizike për të arritur suksesin e jashtëzakonshëm.
Nisur nga konkurrenca, nuk është e qartë se sa do të qëndrojë rekordi i tij. Mediat lokale në Florida në mars raportuan se amerikani Rob Stirling, 60 vjeç, kishte menaxhuar 3,264 pompa në fund të muajit të kaluar – por ky pretendim ende nuk është njohur nga Guiness.
Top Channel