Ish-Presidenti Trump paraqitet për herë të dytë në prokurorinë e Nju Jorkut

13/04/2023 16:09

Ish-Presidenti Donald Trump pritet të shkojë të enjten në zyrat e prokurorisë së Nju Jorkut, për të dhënë deponimin e tij të dytë, në betejën ligjore mbi praktikat e biznesit të kompanisë së tij.

Ai pritet të takohet me përfaqësuesit e zyrës së Prokurores Letitia James, e cila ngriti padi ndaj zotit Trump vitin e kaluar. Në padinë e saj pretendohet se zoti Trump dhe familja e tij mashtruan bankat dhe bashkëpunëtorët e biznesit, duke u dhënë atyre informacion fals, për vlerën financiare të pronave të tij, si hotelet dhe klubet e golfit.

Padia nuk ka lidhje me akuzat e ngritura ndaj zotit Trump nga prokurori i Manhatanit, ngritja e të cilave shënoi edhe rastin e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, që një ish-president, akuzohet për vepra penale.

Ish-Presidenti Trump dhe avokatët e tij kanë thënë se paditë e prokurorëve të zgjedhur nga radhët e demokratëve janë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në ligj. Ai dhe kompania e tij kanë mohuar të kenë shkelur ligjin. Prokurorja James nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve për deponimin gjatë një konference për shtyp të mërkurën.

Ish-Presidenti Trump është takuar më parë me juristët e zyrës së Prokurores James më 10 gusht, por nuk pranoi t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve, me përjashtim të disa pyetjeve procedurale, duke përmendur mbi 400 herë të drejtën e tij kushtetuese, bazuar në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës amerikane, për të mos rrezikuar ligjërisht vetveten.

“Nëse dikush në pozicionin tim nuk do të përdorte Amendamentin e Pestë, do të ishte një budallallëk i vërtetë”, tha ai gjatë një seance të regjistruar me video dhe që u bë publike më vonë. Zoti Trump parashikoi se prokuroria do të përpiqej të ngrinte çështje penale bazuar tek përgjigjet e tij, nëse ai do t’i kishte dhënë ato.

“Një deklaratë apo një përgjigje që do të ishte sadopak jo e drejtë, qoftë edhe gabimisht, si p.sh. se ishte një ditë e bukur me diell, kur realisht ishte pak e vrenjtur, do të trajtohej nga strukturat e zbatimit të ligjit në një nivel që rrallë shihet në këtë vend, pasi unë e kam përjetuar këtë gjë”, tha ai.

Gjyqi për këtë çështje hetimore është planifikuar të fillojë në muajin tetor.

Nuk është e qartë nëse zoti Trump do t’i përgjigjet pyetjeve në deponimin e tij të dytë i planifikuar të zhvillohet me dyer të mbyllura.VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA