Takimi me Escobar/ Meta: PL, prioritet luftën kundër korrupsionit! 14 maji, dita e madhe e ndryshimit

12/04/2023 13:03

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se në takimin me të dërguarin e Posaçëm të BE-së, Gabrial Escoabar, shprehu vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Meta shkruan se në takim ka theksuar se “zgjedhjet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japë fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë”.

Postimi i plotë:

Mirëprita ditën e sotme Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim.

Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit.

E falenderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike.

Vlerësova se angazhimi i SHBA në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve.

Theksova se zgjedhjet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japë fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.

Nënvizova vendosmërinë e PL për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.

Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA