Siguria në veri të Kosovës/ Reagime për plagosjen e serbit dhe pezullimin e policëve

12/04/2023 15:24

Të hënën në mbrëmje një qytetar serb u plagos nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, në rrugën nacionale Leposaviq-Zveçan.

Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, policia i kishte kërkuar të njëjtit të ndalojë veturën, gjë që nuk e kishte bërë dhe një zyrtar policor ka qëlluar mbi të.

Zyrtari në fjalë dhe tre të tjerë janë pezulluar nga puna dhe janë në mbajtje për 48 orë. Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka dënuar sulmin ndaj qytetarit serb duke kërkuar hetim korrekt për rastin.

Njëri prej tyre për tentim vrasje dhe tre të tjerë për mosraportim të veprës penale. Ne i ftojmë institucionet e drejtësisë, siç ka bërë edhe ministri Sveçla që ta adresojnë këtë rast me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë.

Incidentin e ka dënuar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë duke thënë që të gjitha institucionet përkatëse ligjzbatuese tash duhet të bëjnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të sjellin para drejtësisë përgjegjësit. Ndërkohë, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka cilësuar incidentit si shqetësues për sigurinë.

Ky incident dhe të tjera gjatë javëve të fundit në veri të Kosovës kanë ngritur pikëpyetjet për sigurinë e mbajtjes së zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore.

Ministrja Haxhiu nuk ka dhënë detaje nëse ekzekutivi ka kërkuar raport për vlerësimin e sigurisë, por thotë që në rast se vlerësohet se nuk duhet të mbahen zgjedhjet, Qeveria do ndryshojë qëndrimin.

“Më lejoni që t’iu njoftoj që nuk kam çfarë të shtoj këtu përveç asaj që e përmenda, në momentin që institucionet e sigurisë do të japin informacione që nuk duhet të mbahen zgjedhjet, atëherë sigurisht që ndryshon edhe qëndrimi. Unë personalisht nuk jam në dijeni, sepse nuk është në mandatin tim, është sigurisht në mandatin e ministrit të Punëve të Brendshme”– tha Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë.

Zgjedhjet lokale për kryetar të komunave në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut janë caktuar të mbahen më 23 prill. Kjo datë u caktua pasi zgjedhjet e njëjta që do mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar u shtynë për shkak të sigurisë së brishtë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA