Vizat e arta, “shpërthejnë” në Lindjen e Mesme: Boom i programit që mbyllet në Europë!

12/04/2023 08:40

Programet e të ashtuquajturave viza të arta apo leje të qëndrimit të dhëna për arsye investimesh, nisën të mbyllen në vendet europiane në mesin e shqetësimeve mbi korrupsionin dhe sigurinë që rrethuan këtë praktikë.

Por ajo po lulëzon në Lindjen e Mesme, ku “industria e dhënies së  shtetësisë”, është në hapat e parë të saj. Dy janë versionet e kësaj skeme në rajon: Programi për dhënien e lejes së qëndrimit për investime (RBI), i njohur si programi i “vizave të arta” dhe ai i dhënies së nënshtetësisë për investime ose “pasaporta të arta”, por këto do kërkonin më shumë para, më shumë dokumente dhe më shumë kohë.  Vendet që ofrojnë viza të arta ose pasaporta të arta duan të inkurajojnë investitorët dhe të huajt që kanë depozita të mëdha valutash.

Për individët që marrin pjesë në këto programe, ato ofrojnë mundësi për një jetë më të mirë, një pasaportë e dytë ofron më shumë mundësi udhëtimi dhe shanse për t’u shpëtuar problemeve politike, trazirave ekonomike ose konflikteve në vendin e lindjes. Kanadaja, SHBA, Irlanda dhe vende të tjera të BE-së kanë programe të tilla. Por pesë vitet e fundit ideja është bërë popullore edhe në Lindjen e Mesme.

Në fillim të muajit mars, Egjipti bëri lehtësime për të huajt që duan të bëhen egjiptiane duke investuar. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pasur një program vizash të arta që nga viti 2019, por bënë përmirësime të tij duke e bërë aksesin më të lirë dhe më të lehtë.  Jordania ka aplikuar programet e vizave për investime që në vitin 2018, dhe Katari filloi në vitin 2020 të ofrojë lejeqëndrime të përkohshme më të gjata, si shpërblim për blerje pasurish të patundshme.

Bahrain ka që nga viti 2022 një program për “leje qëndrimi me vizë të artë” dhe bëri të njohur së fundi “licencat e arta” për investime në shkallë të gjerë. Edhe Arabia Saudite ka filluar sivjet me programin e “lejeqëndrimeve si shpërblim”.

Top Channel