Kushi e indinjuar për dhunimin e mësueses në Memaliaj: Trajtojeni arsimtarin me respektin dhe dinjitetin që meriton

12/04/2023 13:18

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka shprehur indinjatën për dhunimin e mësueses në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kushi  u bën thirrje nxënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojmë mësuesin me respektin dhe dinjitetin që meriton, duke theksuar se dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve.

“Jam shumë e indinjuar nga rasti i dhunës së ushtruar mbi një mësuese në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj.

Pavarësisht arsyeve që kanë shkaktuar këtë ngjarje, dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve. Në institucionet tona arsimore funksionojnë të gjitha strukturat e nevojshme për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatave problematike.

Edhe pse është një rast i izoluar, për të cilin u morën masa të menjëhershme që ditën e djeshme, unë shpreh solidaritetin dhe u bëj thirrje nxënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojmë mësuesin me respektin dhe dinjitetin që meriton.

Ne nuk do të tolerojmë asnjë rast dhune, as ndaj nxënësve e as ndaj mësuesve, atyre që edukojnë me dashuri fëmijët tanë dhe përgatisin me përgjegjshmëri brezat e ardhshëm.

Dua të garantoj të gjithë prindërit që ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe do të marrim të gjitha masat që shkolla të jetë gjithmonë një mjedis i sigurt, i ngrohtë dhe i shëndetshëm për edukimin dhe mirëqenien e nxënësve tanë”- shkruan Kushi.

Lexo edhe:

E paprecedentë! Dhunohet mësuesja në Memaliaj, sulmohet fizikisht nga tezja e një nxënësi

Top Channel