Një mësuese e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj ka regjistruar në komisariatin e Tepelenës një denoncim për rrahje që sipas saj ka ndodhur në ambientet e shkollës brenda orarit zyrtar dhe për shkaqe që kanë të bëjnë me detyrën.

Mësuesja me inicialet M.H. 43 vjeç pohoi se është dhunuar nga tezja e një fëmije në ambientet e shkollës.

Tezja e fëmijës 9 vjeçar e akuzoi fillimisht mësuesen se kishte goditur dhe fyer të miturën gjatë orëve të mësimit të ditës së sotme.

Të dy gratë kanë debatuar fillimisht dhe më pas mësuesja është goditur publikisht në oborrin e shkollës.

Disa mësues kanë ndërhyrë për të ndalur sulmin fizik dhe tani rasti po hetohet nga oficerët e policisë lokale ndërsa po merret në pyetje në praninë e psikologes edhe e mitura që u bë shkak i nisjes së këtij konflikti.

Njoftimi i Policisë: 

Dhunoi fizikisht një shtetase (mësuese), procedohet penalisht 41-vjeçarja.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. K., 41 vjeçe, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Ditën e sotme, në ambientet e shkollës 9-vjeçare Memaliaj, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, 41-vjeçarja (familjare e një nxënëseje) ka dhunuar fizikisht një mësuese në këtë shkollë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetases S. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel