“Një makth” – publikimi i dokumenteve sekrete amerikane

11/04/2023 09:24

Pas publikimit së fundmi në internet të dokumenteve sekrete amerikane në internet është ndezur debati në SHBA. Dokumentet përmbajnë infomacione për aftësitë ushtarake të Ukrainës dhe punën e shërbimeve sekrete amerikane.

Dy ditë pas publikimit në internet të dokumenteve amerikane të klasifikuara si sekrete është ndezuar debati për dëmin e madh të shkaktuar për shkak të përmbajtjes së tyre mjaft delikate. Sipas mediave amerikane këto dokumente përmbajnë të dhëna për furnizimet me armë të Ukrainës dhe shpenzimin e municioneve- po ashtu ato japin detaje për forcën e trupave ukrainase dhe pozicionet e tyre. Sipas raportimeve të “New York Times” ato përmbajnë edhe të dhëna për planet e NATO-s dhe SHBA të mbështesin Kievin në një ofensivë të mundshme kundër Rusisë në pranverë.

Ndërsa sipas “Washington Post” krahas informacioneve për Ukrainën janë publikuar edhe analiza sekrete për vende të tjera, si për shembull për Kinën dhe Izraelin. Dokumentet japin detaje se si i mbledhin informatat shërbimet sekrete amerikane dhe tek cilat burime bazohen. Ky vështrim brenda praktikës së punës të shërbimeve sekrete amerikane mund të jetë shumë i vlefshëm për Kinën dhe Rusinë. Moska mund të kuptojë, se sa i infiltruar është aparati i saj i sigurisë nga spiunët amerikanë dhe të mbyllë pikat e dobta. Një ish-funksionar i shërbimeve sekrete amerikane ka bërë fjalë për “një makth”.

Disa dokumente me gjasë të manipuluara

E paqartë është nëse të gjitha dokumentet janë të vërteta. Përfaqësues të qeverisë amerikanë kanë konfirmuar parimisht vërtetësinë e dokumenteve, sipas CNN. Por “Washington Post” raporton po mbi bazën e burimeve nga qarqet qeveritare, se të paktën disa dokumente janë të manipuluara. Kjo përputhet me të dhënat e rrjetit investigativ Bellingcat. Ekspertët e këtij rrjeti kanë zbuluar, se të paktën disa dokumente janë qartësisht të manipuluara.

Po ashtu e paqartë është, se kush fshihet pas publikimeve. Dokumentet u shfaqën në fillim të marsit në platformën e preferuar të “gamer-ave”- lojtarëve të lojërave në internet, Discord, më pas u përhapën më tej në Imageboard 4Chan. Në fund ato u përhapën në twitter dhe në kanalet ruse të Telegramit. Një pjesë e madhe e dokumenteve u fshi shpejt. Ministria Amerikane e Drejtësisë ka filluar hetimet. Me gjasë mijëra punonjës të autoriteteve amerikane kanë pasur qasje tek dokumentet, ka thënë një punonjës i Pentagonit për “Washington Post”.

Reagimi i Ukrainës

Sipas reagimeve nga Ukraina publikimi i dokumenteve të tilla nuk kanë asnjë ndikim në rrjedhën e luftës. Kievi reagoi i qetë, dhe bën fjalë për një “lojë të zakonshme shërbimesh sekrete”. Rusia vetë ka trilluar dokumentet për të vendosur një pykë mes perëndimit dhe Ukrainës, sipas Kievit.

Përkundër këtyre reagimeve qëndrojnë deklaratat e alarmuara të autoriteteve amerikane dhe shërbimeve sekrete. Kreu i institutit amerikan, Silverado Policy Acclelerator, Dimitri Alperovitch, i tha gazetës “Washington Post”, se dokumentet mund të sjellin dëme. Vërtet ato nuk kanë plane konkrete sulmi, por ato i japin Moskës të dhëna për llojin dhe sasinë e armëve perëndimore dhe për ushtrinë që përdor këto armë. Këto janë informacione me rëndësi për aftësinë mbrojtëse të Ukrainës./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA