Shqipëria ka ndërmarrë sot një hap të rëndësishëm për të çuar përpara sektorin elektro-energjetik. Bursa Shqiptare e Energjisë ka nisur operimin, përmes çeljes së ankandit të parë të tregut të ditës në avancë.
ALPEX është bursa e dytë operacionale në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si një domosdoshmëri për të garantuar transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve.
E ftuar në këtë event, kryediplomatja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është shprehur se ky një çast të rëndësishëm në zhvillimin strategjik të Shqipërisë dhe se me ndihmën e SHBA-së sektori energjetik shqiptar do të rrisë transparencën dhe konkurrencën. Sipas Kim, nisma do të sjellë më shumë furnizim dhe çmime më të lira.
“Integrimi i tregut energjetik të Shqipërisë me Kosovën është një çast i rëndësishëm për integrimin brenda Ballkanin Perëndimor dhe më pas integrimin e rajonit brenda Evropës”- tha Kim, duke shtuar se ky bashkim tregu do të integrojë më tej Shqipërinë në tregun panevropian të energjisë elektrike, dhe hedhë bazat për rritjen e investimit në energjinë e pastër dhe përmirësimin e sigurisë së energjisë.
“Ju falenderoj për organizimin e eventit. Ky organizim është diçka e rëndësishme, por pse? Sepse ndodhemi në një çast të rëndësishëm në zhvillimin strategjik të Shqipërisë dhe vendin e saj në Evropë. Asgjë nuk mund të ndodh pa energjinë. Kështu që kjo ka të bëjë me të krijuarin e një mundësie, rrethanave, që Shqipëria, Kosova dhe rajoni të kenë stabilitet dhe parashikueshmëri në lidhje me çmimin e saj.
Ka të bëjë me integrimin. Ndërsa Shqipëria po integron tregun e saj me Kosovën, po e shohim këtë si një bazë për integrimin brenda Ballkanin Perëndimor dhe më pas integrimin e rajonit brenda Evropës. Këtu qëndron rëndësia. Me këtë projekt kupton më shumë një çmim efikas të energjisë elektrike dhe tërheqje më tepër të investimeve të huaja. Shtetet e Bashkuara mbështesin me krenari Alpex, dhe USAID ka qenë aty që nga trajnimi i punonjësve të personelit për t’u siguruar që ata të ishin të mirëpërgatitur për nisjen e sotme.
Shqipërinë, partnerin tonë, duam ta shohim të rrisë aftësinë e saj për ripërtëritje të energjisë, të rrisë klimën e investimeve duke përkrahur lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.
Por ka edhe më shumë se kaq. I planifikuar për në fund të këtij viti, ky bashkim tregu do të integrojë më tej Shqipërinë në tregun panevropian të energjisë elektrike, duke hedhur bazat për rritjen e investimit në energjinë e pastër dhe përmirësimin e sigurisë së energjisë.
SHBA përmes USAID-it po punojnë me Shqipërinë dhe Kosovën për të transformuar tregjet e brendshme të energjisë në një shkëmbim për shkëmbime konkurruese dhe transparente me tregjet e tjera evropiane”- tha Kim.
Top Channel