Udhëheqësi bjellorus i bëri thirrje Rusisë që ta mbrojë Bjellorusinë “si territorin e saj”. Bjellorusia ka strehuar një kontingjent prej mijëra trupash ruse.
Udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko i bëri thirrje Rusisë që të mbrojë Bjellorusinë në rast të një sulmi. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Bjellorusisë “Belta” Lukashenko e bëri deklaratën pas një takimi me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, që u zhvillua në kryeqytetin e Bjellorusisë Minsk.
Lukashenko tha se Minsku kërkon “garanci të plota sigurie” nga Moska. Sipas agjencisë Belta Lukashenko tha pas takimit se ai i kishte diskutuar çështjet më parë me presidentin rus Vladimir Putin, i cili kishte rënë dakord që garancitë e sigurisë për Minskun duhej të zyrtarizohen.
Në bisedimet me Putinin, ky i fundit ishte treguar i gatshëm, që “në rast agresioni kundër Bjellorusisë, Federata Ruse do ta mbrojë Bjellorusinë si territorin e saj,” – tha Lukashenko. Ai falënderoi gjithashtu Moskën që ka stacionuar mijëra trupa ruse në territorin e Bjellorusisë.
Bjellorusia aktualisht ka strehuar një kontingjent forcash ruse dhe shërbeu si urë për pushtimin e Ukrainës nga Moska në ditët e para të luftës. Lukashenko tha se Bjellorusia nuk ka ndërmend të angazhojë trupa për luftërat e Rusisë, por do t’i përgjigjet çdo hyrjeje në territorin e saj ose përpjekjeje për të ndezur trazira.
Ukraina kritikon ‘dëshirat e çuditshme’
Mikhailo Podolyak, këshilltar pranë zyrës së presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, e kritikoi në një postim në Twitter kërkesat e Lukashenkos, duke i quajtur ato “dëshira të çuditshme”.
Zyrtari ukrainas e krahasoi thirrjen e Lukashenkos ndaj Rusisë me “një antilopë që kërkon garanci sigurie në gojën e krokodilit”. Ai tha se “kërcënimi i vetëm ekzistencial” për Bjellorusinë është “përthithja” nga Federatën Ruse dhe “mashtrimet bërthamore” të Moskës.
Në shkurt një numër mediash perëndimore njoftuan për rrjedhjen e një dokumenti rus në të cilin pretendohej se paraqiteshin planet e Kremlinit për të aneksuar aleatin e vet Bjellorusinë deri në vitin 2030.
Lukashenko: Perëndimi shkel traktatin bërthamor të Budapestit
Lukashenko tha po ashtu se vendet perëndimore po “shkelnin” garancitë e sigurisë të përcaktuara nga Memorandumi i Budapestit. Sipas këtij memorandumi të nënshkruar në vitin 1994, Bjellorusia, Kazakistani dhe Ukraina hoqën dorë nga armët e tyre bërthamore të trashëguara nga sovjetikët. Marrëveshja u nënshkrua gjithashtu nga Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Lukashenko tha se memorandumi ishte shkelur nga sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe Rusisë, pasi ato minonin sigurinë ekonomike të dy vendeve. Nga ana tjetër Kievi dhe aleatët e tij kanë akuzuar Rusinë për shkelje të memorandumit me pretendimin për të aneksuar territorin ukrainas. Në fund të muajit të kaluar Putini njoftoi se Rusia synon të vendosë armë bërthamore taktike në territorin bjellorus. Pas kësaj ekspertët bjellorusë filluan javën e kaluar trainimet me armë bërthamore. /DW
Top Channel